Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, mori pjesë në ceremoninë e prezantimit të projektit të kampusit të Akademisë së Futbollit Manchester City si edhe në ekspozimin e trofeve të Manchester City “Treble Trophy Tour” në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) në Kryeministri.
Një event i organizuar nga “Dyrrah City Football Academy” në bashkëpunim me Manchester City FC, por edhe me mbështetjen e FSHF-së, që do të ndërtojnë në qytetin e Durrësit një nga kampuset sportive më të mira në Shqipëri, por që gjithashtu kanë sjellë në vendin tonë edhe trofetë e fituara në sezonin e kaluar nga klubi anglez, si Premier League, Champions League, FA Cup, UEFA Super Cup dhe FIFA Club World Cup.
Gjatë fjalës përshëndetëse në këtë event, Presidenti Duka tha se suksesi i Manchester City-t është dëshmi e një pune shumëvjeçare. Kreu i qeverisë shqiptare të futbollit falënderoi të gjithë bashkëpunëtorët që do të bëjnë të mundur realizimin e projektit të kampusit të Akademisë së Futbollit të Manchester City-t në Durrës dhe shtoi se zhvillimi i futbollit të fëmijëve është një prioritet i FSHF-së. Gjithashtu, Presidenti Duka bëri thirrje edhe njëherë për ligjin e sponsorizimit, që ende nuk është aplikuar në vendin tonë.
Më poshtë fjala e plotë e Presidentit të FSHF-së, Armand Duka, në ceremoninë e prezantimit të projektit të kampusit të Akademisë së Futbollit Manchester City:
“Manchester City në Tiranë ka sjellë pesë kupa dhe është një lajm i bukur. Kupat unë i shoh si dëshmi të një projekti, të një pune shumëvjeçare të një prej klubeve më të mëdha në botë. Në prag të finales së Champions League vitin e kaluar në Stamboll, CEO i Manchester City tha se në futboll rëndom thuhet që duhet të kesh talent, fat dhe duhet të punosh. Rasti i Manchester City-t është punë, punë dhe vetëm punë.
Pjesë e këtij projekti tentojmë të bëhemi edhe ne, për të mësuar nga ato se çfarë ka bërë Manchester City, për t’i implementuar në Tiranë, nëpërmjet trajnimeve dhe duke shfrytëzuar eksperiencën që Manchester City ka. Gjithashtu nëpërmjet projektit të shkëlqyer që do të vazhdojë arkitekti i talentuar, Marco Casamonti. Kryeministri i vendit, të cilin dua ta falënderoj për mbështetjen e këtij projekti, më ka thënë që është një nga projektet më të mira të sportit. Në fakt mbahet si akademi nga më të mirat sot, të paktën nga pikëpamja arkitektonike ajo e ndërtuar së fundmi në Firence por Kryeministri më ka thënë që kjo do të jetë më e bukur dhe unë uroj që të jetë më e bukur. Kam shumë besim te Marco që do të bëjë një vepër arti. Edhe njëherë dua të falënderoj Krymenistrin për iniciativën dhe mbështetjen e këtij projekti, dhe Kryetaren e Bashkisë të qytetit tim, Emirjana Sako. Jam shumë i sigurt që ky do të jetë një projekt i suksesshëm jo vetëm për Durrësin por për të gjithë Shqipërinë.
FSHF e ka në prioritetet e saj mbështetjen e futbollit të fëmijëve dhe bën gjithçka për ta bërë atë sa më atraktiv, më të suksesshëm dhe e mbështet atë me bazë materiale, invenstime dhe me gjithçka mundet, mbase më mirë se çdo Federatë tjetër në Europë. Jam i bindur që futbolli ka nevojë për projekte dhe strategji të përbashkëta ku të përfshihemi të gjithë si në këtë rast, ku të përfshihet edhe bota e biznesit, për ta bërë këtë lojë të dashur për të gjithë akoma edhe më të suksesshëm. Ne kemi vërtetë shumë detyrime për fëmijët tanë dhe një nga ato është edhe sporti. Ne i dimë benefitet që ka sporti: shëndetësore, edukative por edhe ekonomike. Futbolli sot e ka jetike ligjin e sponsorizimit, në fakt tashmë të premtuar nga Kryeministri dhe unë jam i sigurt që ky ligj nuk do të jetë një kosto për buxhetin e shtetit, por është një investim që ka rikthim të sigurt në një afat pesë vjeçar.
Unë shpreh mbështetjen e plotë të FSHF-së jo vetëm për këtë akademi, padyshim për këtë që do të jetë një shkollë për të gjitha akademitë e tjera, por për çdo akademi, për çdo ekip fëmijësh që krijohet në Shqipëri. Në fund dua të falënderoj edhe drejtuesit e Manchester City që janë këtu dhe dua t’ju them që ne e kemi Manchester City-n në FSHF dhe ai është Pablo Zabaleta, ndërsa tani do ta kemi edhe si akademi. Faleminderit dhe uroj një projekt sa më të mbarë, jam i sigurt që do të jetë një projekt i suksesshëm sepse Manchester City nuk ka dështuar asnjëherë, por edhe ne në përgjithësi nuk kemi dështuar. Kështu që dy elementë që nuk dështojnë kanë një sukses të sigurt. Faleminderit!” – tha Presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
FSHF në muajin shkurt të këtij viti mirëpriti në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” trajnerët e akademive të futbollit të zonës së Tiranës dhe Durrësit në një seminar të organizuar nga Dyrrah City Football Academy” në bashkëpunim me Manchester City FC si edhe me mbështetjen e FSHF-së, ku pjesëmarrës si lektorë ishin dy trajnerët e ardhur nga akademia e Manchester City, Gavin Rhodes dhe Andy Smith. Ndërsa sot dhe nesër do të zhvillohen edhe disa aktivitete të tjera si në “Shtëpinë e Futbollit” po ashtu edhe në stadiumin “Air Albania”, ku përfaqësueset e Kombëtareve rajonale të Tiranës dhe Durrësit të grupmoshës U-13 dhe U-14 do të stërviten dhe do të luajnë së bashku me trajnerët e akademisë së Manchester City-t./h.ll/abcnews.al