Trump i përgjigjet liderit të Koresë së Veriut

schedule14:01 - 3 Janar, 2018

schedule 14:01 - 3 Janar, 2018

Presidenti amerikan, Donald Trump në një kundërpërgjigje për liderin e Koresë së Veriut, ka nënvizuar se butoni bërthamor që posedon është më i madh dhe më i fuqishëm se ai i Kim Jong-un. Ndërsa ambasadorja e SHBA në Kombet e Bashkuara bën thirrje për zbatimin e sanksioneve kundër Penianit.

Tashmë është shndërruar në një garë butonash mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe liderit suprem të Koresë komuniste, Kim Jong-un. Duke përdorur rrjetin social, kreu i Shtëpisë së Bardhë shkruan këtë mesazh në Tuitër: “Lideri i Koresë së Veriut Kim Jong Un deklaroi se ‘butoni bërthamor është gjithmonë prezent në tavolinën e tij’. Dikush nga ky regjim i varfër që vuan nga uria ju lutem ta informojë se edhe unë kam një buton bërthamor, por imi është shumë më i madh dhe më i fuqishëm se i atij, gjithashtu butoni im funksionon!”.

Kjo deklaratë kërcënuese e lideri amerikan, vjen pas fjalimit të fundvitit të Kim Jong-un, i cili tha se mund të përdorë në çdo kohë butonin bërthamor për të sulmuar Shtetet e Bashkuara.
“Nuk do të pranojmë kurrë një Kore të Veriut të pajisur me armë bërthamore”, thekson ambsadorja e Uashingtonit në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley. “Duhet bërë shumë për të siguruar zbatimin e rezolutave të Këshillit të Sigurimit mbi Korenë e Veriut”, tha ajo, duke cituar njoftimet se regjimi i Kim Jong-un ishte duke përgatitur një test tjetër raketor. “Unë shpresoj se kjo nuk do të ndodhë, por nëse ndodh, ne do të duhet të marrim masa të tjera”, paralajmëroi Haley.

Kjo situatë e tensionuar vjen për shkak të testeve raketore të zhvilluara në 2017-n nga Koreja e Veriut. Gjatë vitit të kaluar Organizata e Kombeve të Bashkuara ka vendosur kundër Penianit sanksionet më të ashpëra në histori./abcnews.al