Mbrojtësi i Teutës, Rustem Hoxha, ishte autori i golit të barazimit në takimin kundër Tiranës. Pas ndeshjes, mbrojtësi foli për Supersport, në emisionin Gol pas Gol, ku u shpreh:
NDESHJA – “Mendoj se të gjithë lojtarët kanë luajtur shumë mirë sot. Bëmë një ndeshje të mirë, e nisëm në mënyrën e duhur dhe në 25 minuta dominuam, duke krijuar raste dhe duke fituar shumë korne. Pësuam atë gol nga një vendosje e gabuar e jona. Por në fund arritëm të shënonim dhe të merrnim një pikë, që është më mirë se një humbje. Mund të shënonim më shpejt dhe ta kishim fituar takimin.
TITULLI – “Vëndi i tretë është objektivi minimal. Ne do të tentojmë të bëjmë më të mirë dhe në këtë kampionat, kushdo mund të dalë kampion. Diferencat janë shumë të vogla”.
GOLAT – “Tani, mungesa e golave dihet. Po hasim probleme në sulm. Çfarë na ngroh, është fakti që kemi raste ndeshje pas ndeshjes. Shpresoj të jetë thjesht një ngërç psikologjik i sulmuesve dhe të vazhdojnë të shënojnë”.
RIVALI MË I FORTË – “Për renditjen që është, nuk ka shumë diferenca. Mendoj se janë katër ekipe që mund të shpallen kampionë, por asnjë nga këto të katërta nuk ka treguar se e meriton më shumë njëra ose tjetra. Me gjithë respektin për ekipet tjera, mendoj se ne, Tirana, Partizani dhe Kukësi janë për titull”, tha Hoxha./abcnews.al