Kryeministri polak Donald Tusk ka paralajmëruar se Europa ka hyrë në një “epokë të paraluftës” dhe nëse Ukraina mposhtet nga Rusia, askush në Europë nuk do të jetë më i sigurt.
“Nuk dua të tremb askënd, por lufta nuk është më një koncept nga e kaluara”, tha ai për mediat europiane.
“Është e vërtetë dhe filloi më shumë se dy vjet më parë.”
Komentet e tij erdhën pas një breshëri raketash ruse në shënjestër të Ukrainës. Rusia ka intensifikuar bombardimet e saj ndaj Ukrainës gjatë javëve të fundit. Forca ajrore e Ukrainës tha se kishte rrëzuar 58 dronë dhe 26 raketa dhe kryeministri Denys Shmyhal tha se infrastruktura energjetike ishte dëmtuar në gjashtë rajone, në perëndim, qendër dhe lindje të vendit.
Tusk, një ish-president i Këshillit Europian, tha se presidenti rus Vladimir Putin kishte fajësuar tashmë Ukrainën për sulmin xhihadist në Moskë pa asnjë provë dhe “duket se ndjen nevojën për të justifikuar sulmet gjithnjë e më të dhunshme ndaj objektivave civile në Ukrainë”.
Ai vuri në dukje se Rusia kishte sulmuar Kievin me raketa hipersonike për herë të parë në fillim të kësaj jave.
Pavarësisht nëse Joe Biden apo Donald Trump fitojnë zgjedhjet presidenciale të nëntorit në SHBA, ai argumentoi se Europa do të bëhej një partner më tërheqës për SHBA-në nëse do të kishte investuar mjaftueshëm ushtarakisht.
Ai tha se nuk kishte të bënte me arritjen e autonomisë ushtarake nga SHBA-ja apo krijimin e “strukturave paralele me NATO-n”. Polonia tani shpenzon 4% të prodhimit të saj ekonomik për mbrojtjen dhe çdo vend tjetër eropian duhet të shpenzojë 2% të PBB-së.
Që kur Rusia nisi luftën e saj në shkallë të plotë në Ukrainë, marrëdhëniet me Perëndimin kanë shkuar në nivelin më të dobët që nga Lufta e Ftohtë, megjithëse Presidenti Putin tha këtë javë se Moska nuk kishte “asnjë synim” për të sulmuar vendet e NATO-s.
Ideja se vendi i tij do të sulmonte Poloninë, shtetet baltike dhe Republikën Çeke ishte “marrëzi e plotë”, tha ai. E megjithatë ai paralajmëroi gjithashtu se nëse Ukraina do të përdorte avionë luftarakë perëndimorë F-16,ata do të bëheshin “objektiva legjitime, kudo që të ndodheshin”.
Ky nuk është paralajmërimi i parë i Tusk për një epokë të paraluftës. Ai u dha udhëheqësve evropianë të qendrës së djathtë një mesazh të ngjashëm në fillim të këtij muaji.
/abcnews.al