Aleati i ngushtë i Putinit: Ukraina qëndron pas sulmit në sallën e koncerteve

schedule15:34 - 26 Mars, 2024

schedule 15:34 - 26 Mars, 2024

Nikolai Patrushev, sekretari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë dhe një aleat i ngushtë i Presidentit Vladimir Putin, tha sot se Ukraina qëndronte pas sulmit të së premtes në një sallë koncertesh në Moskë që vrau të paktën 139 njerëz.

Kremlini nuk pranoi të thotë nëse besonte se kishte një lidhje midis udhëheqjes ukrainase dhe sulmit të së premtes, duke thënë vetëm se hetimi ishte në vazhdim. Faqja e lajmeve SHOT publikoi një video në të cilën një reporter e pyet Patrushevin “ISIS apo Ukrainë?”, ndërsa ky i fundit kalon pranë tij.

“Ukraina, sigurisht,” përgjigjet Patrushev.

I pyetur në një konferencë për shtyp nëse kishte një lidhje të drejtpërdrejtë midis Ukrainës dhe sulmit, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha: “Nuk kam asgjë për të shtuar në atë që është thënë tashmë për këtë çështje”.

Peskov tha se komentet e zyrtarëve rusë mbi sulmin bazoheshin në “të dhëna paraprake” dhe se kreu i Komitetit Hetues të Rusisë i raportoi Presidentit Vladimir Putin të hënën për hetimin.

Putin ka thënë se sulmi ishte kryer nga islamikë radikalë, por gjithashtu tha se sulmuesit u përpoqën të iknin në Ukrainë pasi sulmuan sallën e koncerteve Crocus City Hall.