Ju lumtë, më kapët: Si reagoi shqiptari pasi policia e arrestoi me 5 milion euro “të bardhë”

schedule12:55 - 1 Nëntor, 2019

schedule 12:55 - 1 Nëntor, 2019

Policia greke njoftoi dje se kishte shkatërruar një grup trafikantësh në Athinë duke i kapur atyre edhe rreth 104 kilogram lëndë narkotike e llojit kokainë.

Krahas kësaj, policia greke kapi edhe 828 mijë euro në shtëpinë e grupit i përbërë nga dy shqiptarë, njëri 40 vjeç dhe tjetri 33 vjeçm, si dhe një kroat.

Mediat greke bëjnë me dije se në momentin që e kanë rrethuar 40 vjeçarin shqiptar ai nuk ka bërë rezistencë duke thënë në fund: Ju lumtë, më kapët.

Mësohet se shqiptari lëvizte shpesh në vende të ndryshme të Europës, ndërsa droga ishte e pastër dhe vinte direkt nga vendet e Amerikës Latine.

Qeset e kokainës ishin të fshehura brenda një ene të mbushur me rërë. Pakot e ‘pluhurit të bardhë’ ishin të stampuara me mbishkrimi apo logo të ndryshme.

Në disa shkruhej ‘Show Time’ (koha për shfaqje) dhe në të tjera kishte imazhe të ndryshme. Operacioni i Policisë së Athinës është organizuar në bashkëpunim me DEA-n amerikane.

Sipas autoriteteve greke, organizata kriminale ishte e strukturuar mjaft mirë dhe profesionale. Kjo duket në sasinë e madhe të lëndës narkotike, logot e vendosura mbi pako dhe organizimin e tyre.

Në mesin e tre të arrestuarve është edhe drejtuesi i këtij rrjeti. Ky i fundit ishte përgjegjës për blerjen, ruajtjen dhe shpërndarjen e kokainës.

Anëtari i dytë ishte përgjegjës për sigurinë dhe transferimin tek blerësit, ndërsa i treti ishte përgjegjës për mbledhjen e parave. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!