“21 janari” në dorë të SPAK/ Shemsi Prençi tregon momentin e sulmeve: Policia s’ka pasur armë, u tradhtuam nga brenda gardhit

schedule22:38 - 14 Mars, 2024

schedule 22:38 - 14 Mars, 2024

TIRANË- Ish-drejtori i Forcave Operacionele në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Shemsi Prençi, ka folur për ngjarjet e 21 janarit 2011, ku katër qytetarët demonstrues u qëlluan për vdekje në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.

Ai theksoi se ka qenë një ndër personat, i cili ka urdhëruar policinë të qëllonte me plumba plastikë dhe të përdoret shi-hedhësit në drejtim të protestuesve.

Më tej, ish-drejtuesi i lartë shprehet se Policia e Shtetit nuk ka qenë e pajisur me armë zjarri, por shtoi se ata u tradhtuan nga brenda gardhit, por pa specifikuar emra personash apo strukturash.

“Unë kam qenë drejtor i Forcave Operacionale i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë ndryshe siç i njeh populli Forcat Speciale dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë, jo vetëm në 21 janar, por kam qenë edhe nga marsi 1997 për gjashtë muaj, derisa u ngrit edhe njëherë Policia. Një ndër personat që ka urdhëruar strukturat e policës, për të përdorur plumbat plastikë dhe shihedhëset, jam unë. Unë nuk tundohem të flas para opinionin publik për detyrën që kam kryer ndaj shtetit, por ne u tradhtuam nga strukturat brenda gardhit, të cilat njollosin pushtetin dhe njollosën policinë. Asnjë punonjës i policisë nuk ka pasur armë në brez. Sepse u ca kordoni i policisë, por u ca vetëm në një fragment të porta kur erdhi ai benzi, që u mendua se është me granata dhe me eksplozivë brenda dhe edhe punonjësi i policisë dyzohet nga tmerri dhe frika. Unë kam qenë aty ku ka kaluar benzi së bashku me punonjës të tjerë”, tha ai.

Ai shtoi se sipas ligjit, përgjegjësinë për menaxhimin e policëve dhe ushtarakëve e mban drejtuesi i operacionit.

“Përgjegjësia për menaxhimin e ushtarakëve, qofshin policë apo punonjës garde, e mban drejtuesi i strukturës dhe drejtuesi i operacionit. U tradhtua, sepse gurët po i hanim ne, levat e hekurit po i hante policia”, shtoi Prençi.

Sakaq, Gjykata e Lartë ka vendosur që “21 janari” të hetohet nga SPAK, duke pranuar kërkesën e të familjarëve të të ndjerit Aleks Nika, i cili u qëllua për vdekje më 21 janar 2011. / n.m.abcnews.al