Partia Demokratike i kërkon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të vendosë pa vonesë për shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë së Vorës Agim Kajmaku. Prokuroria deklaroi dy ditë më parë zyrtarisht në dokumentin përcjellë KQZ dhe PD-së se Kajmaku ka falsifikuar Formularin e Dekriminalizimit, duke fshehur arrestimin dhe hetimin në Greqi për veprën penale të përdorimit të parave fallco, si dhe duke fshehur identitetin e rremë të përdorur në Greqi për prindërit e tij.

Në kërkesën e firmosur prej Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi, Partia Demokratike kujton se për këtë vepër të kryer nga Agim Kajmaku, ligji parashikon humbjen e menjëhershme të mandatit dhe dënimin e tij me deri në 4 vjet burg.
Në këtë kërkesë, drejtuar Kryetarit të KQZ, Klement Zguri dhe që i është dërguar për dijeni Ambasadës së SHBA dhe BE në Tiranë, theksohet qëndrimi i mëparshëm që KQZ ka mbajtur në rastet e heqjes së mandatit të deputetëve Gledion Rahovica dhe Aqif Rakipi, te cilat, sipas PD, janë identike me atë të Agim Kajmakut.
“Anëtarët e KQZ-së duhet të zbatojnë ligjin dhe të mos i nënshtrohen urdhrave politikë të Edi Ramës, pavarësisht se ai është personi që ka emëruar në detyrë edhe Agim Kajmakun, edhe 4 nga 5 anëtarët e KQZ-së.”-përfundon kërkesa e Partisë Demokratike. /abcnews.al

