Një bazë me rëndësi për të gjithë Ballkanin Perëndimor, kështu e konsideroi kryeministri Edi Rama, hapjen e bazës së NATO-s në Kucovë, këtë të hënë. Në fjalën e tij, Rama u shpreh se Shqipëria pret sot me krenari aleatët dhe partnerët e saj.
“Duke parë një pjesë të të pranishmëve që janë këtu, si përfaqësues të një gjenerate tjetër, e cila përjetoi të gjitha zhvillimet e përpara ndryshimeve demokratike, po referohem një fragmenti të gazetës “Zëri i Popullit”, në maj të vitit 1954 kur në Shqipëri erdhi udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik dhe gazeta shkruante se, të vdekurit po kërcenin nga gëzimi dhe lulet atë maj kishin çelur më herët pikërisht për të pritur shokun Hrushov.
Është i rëndësishëm ky referim sepse në atë kohë Shqipëria, me këtë bazë që rihapim sot, konsiderohej si një avant-post strategjik i Perandorisë Sovjetike përballë Europës Perëndimore dhe këtu në Kuçovë ishin sistemuar një numër jo i vogël avionësh bombardues.
Po të lexosh planin e deklasifikuar të luftës që qëndronte në sirtarët e Kremlinit, lufta do të niste me bombardimin e Vienës, Sttutgartit, Mynihut, Nurenbergut, dy bazave të NATO-s në Danimarkë, tre bazave italianë në Padova, Verona dhe Vicenza dhe pjesë e këtij operacioni do të ishin dhe avionët bombardues të bazës së Kuçovës.
Sot jetojmë në një epokë tjetër dhe fatmirësisht Shqipëria gjendet në anën tjetër, duke mirëpritur me krenari dhe me respekt aleatët e saj dhe partnerët në një aleancë, e cila është në radhë të parë, një aleancë vlerash në mbrojtje të paqes dhe demokracisë.
Unë jam posaçërisht i lumtur sot që një punë e nisur prej shumë kohësh arriti të përfundojë dhe këtu bashkë me ne janë edhe plot miq, partnerë, aleatë, të cilët do të doja të falënderoja, në mënyrë të posaçme ministrin e Mbrojtjes së Italisë, i cili ka ardhur edhe me disa avionë luftarakë me vete dhe nga ana tjetër, do doja të falënderoj miqtë dhe aleatët tanë të paçmueshëm turq të cilët për thuajse tre dekada e mbajtën gjallë frymën e kësaj baze, e cila sot është tërësisht e transformuar dhe e gatshme si një bazë e re taktike e NATO-s me një rëndësi që i tejkalon kufijtë e Shqipërisë,”-vijoi Rama.