Muçi “arma sekrete” e derbit, mediat turke vlerësojnë lart “legjionarin” 22-vjeçar

schedule15:10 - 2 Mars, 2024

schedule 15:10 - 2 Mars, 2024

Fundjava parashikon një duel të madh. Në Stamboll do të luhet këtë të diel derbi mes “Shqiponjave të Zeza”, Besiktas e “Luanëve”, Galatasaray, dy prej tre ekipeve më të mëdha të Turqisë, dhe papritur në qendër të vëmendjes është një shqiptar. Ky lojtar “Kuqezi” quhet Ernest Muçi.

Gazetat sportive turke shkruajnë se 22-vjeçari është “asi nën mëngë” i trajnerit të Besiktas, Fernando Santos. E përditshmja “Fotomaç”, shkruan se Muçi mund të jetë arma sekrete e teknikut portugez ndaj Galatasaray. “Fotomaç” informon se Santos ka pasur një takim kokë më kokë me “yllin” ofensiv, me gjasë për të sqaruar pjesën taktike që i takon atij në këtë sfidë.

Deri tani, lojtari i Kombëtares ka shkëlqyer në Superligën turke me të gjithë kuptimin e fjalës. Ka shënuar gol, ka krijuar një gol tjetër, ndërsa gazeta “Fanatik” i jep meritën edhe për rrjetën e dytë të Besiktas ndaj Konyaspor, për shkak se aksioni i tij personal krijoi mundësitë për realizim.

“Fanatik” vazhdon me komentin se drejtuesit e Besiktas dhe trajneri Santos po mendojnë edhe për sezonin e ardhshëm, ku dyshja kryesore ofensive do të jetë ajo e përbërë nga Muçi dhe nga I riu, Semih. Ky do të jetë Plani B, që po kthehet në Planin A, pasi sulmuesit kryesorë si Aboubakar, Rebic, Çenk Tosun dhe Muleka nuk po japin atë që pritej. /i.m /abcnews.al