“Tirana, rëndësi strategjike për rajonin”, Çika: Mesazhet e samitit, mbështetje për Ukrainën

schedule17:28 - 27 Shkurt, 2024

schedule 17:28 - 27 Shkurt, 2024

Pedagogu Emilio Çika në një lidhje të drejtpërdrejtë për “News Line” në ABC News foli për vizitën e liderit ukrainas Volodymyr Zelensky në Tiranë, i cili pritet të mbërrijë sot rreth orës 23:00.

Çika u shpreh se kjo vizitë tregon që tashmë Tirana po shihet si një vend me rëndësi strategjike për rajonin, ndërsa për samitet tha se mesazhi do të jetë mbështetja ndaj Ukrainës, e cila prej dy vitesh është në luftë me Rusinë.

Tirana shihet si një vend i sigurt, që ka rëndësi strategjike për rajonin. Nga ana tjetër do thoja që mesazhet që do dalin nga samiti, nuk pres lajm thelbësor përveç mbështetjes simbolike. Edhe në samitin e djeshëm i thirrur nga Macron, mesazhi ishte mbështetja politike ndaj Ukrainës.

Kjo vjen edhe në një pikë të dytë. Ukraina ndodhet në një situatë të vështirë edhe si pasojë e bllokimit të fondeve. Mesazhe të tilla në aspektin e mbështetjes politike dhe simbolike do shfaqen nesër. Pres me kërshëri qëndrimin e Serbisë dhe të Vuçiç, nëse do ketë ndonjë prononcim publik të tij.”, tha ai.

Në lidhje me mungesën e Greqisë, ai tha se “Kisha një konfirmim deri dje se kryeministri Mitsotakis do ishte nesër, por mesa duke jo. Nuk besoj se në lidhje me samitin e djeshëm ka një handikap në lidhje me prezencën e Greqisë.” /abcnews.al