EMRAT/ Detaje nga ngjarja e rëndë në Durrës, arrestohet vajza që vrau dhe varrosi babain në oborrin e shtëpisë

schedule09:06 - 23 Shkurt, 2024

schedule 09:06 - 23 Shkurt, 2024

Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë në Durrës, ku vajza vrau dhe varrosi babain në oborrin e banesës.

Autorja është identifikuar si Hygerta Meta, e cila është arrestuar, ndërsa viktima është Pëllumb Meta. Sipas informacioneve të Policisë së Durrësit, fillimisht familjarët kanë bërë kallëzim në policisë duke deklaruar të humbur 50-vjeçarin. Por më pas policia ka gjetur trupin e pajetë të 50-vjeçarit i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri dhe është varrosur brenda rrethimit të banesës nga vajza e tij,

Njoftimi i Policisë:

Më datë 13.02.2024, rreth orës 22:30, një 25-vjeçar, banues në fshatin Shënavlash Durrës, ka kallëzuar në Polici se ishte larguar nga banesa, babai i tij, shtetasi Pëllumb Meta, 50 vjeç, banues në Shënavlash, Durrës, dhe se kishin humbur kontaktet me të.

Pas këtij kallëzimi, shërbimet e Policisë kanë nisur menjëherë kërkimet dhe më datë 17.02.2024, bënë të mundur gjetjen e automjetit të shtetasit Pëllumb Meta të parkuar në aksin rrugor Shënavlash-Sektor Rinia.

Grupi i posaçëm hetimor i ngritur për këtë rast, në drejtimin e Prokurorisë, vijoi hetimet dhe kërkimet, pasi dyshohej se 50-vjeçari ishte zhdukur.

Si rezultat i hetimeve të thelluara u bë e mundur zbardhja e zhdukjes së 50-vjeçarit. Nga provat e siguruara dyshohet se ky shtetas nuk ishte zhdukur, por ishte vrarë në banesë.

Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se autore e vrasjes së 50-vjeçarit është vajza e tij, shtetasja Hygerta Meta, 19 vjeçe, e cila është arrestuar për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Shtetasja Hygerta Meta ka deklaruar se motivi i vrasjes ka qenë nxitja prej babait, për t’u fejuar pa dëshirën e saj, si dhe konfliktet familjare që kanë patur.

Grupi i posaçëm hetimor po vijon hetimet e thelluara për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore, shtetas të tjerë të implikuar në këtë ngjarje. Trupi i shtetasit Pëllumb Meta është zhvarrosur dhe është transortuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për kryerjen e ekspertizës së mëtejshme.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!