Rreth 300,000 punëtorë në Finlandë janë në grevë sot dhe nesër për të protestuar kundër reformës së punës të promovuar nga qeveria e djathtë e vendit.
Sindikatat e sektorit publik dhe social (JHL), industrisë (SAK) dhe shërbimeve (PAM) kanë njoftuar se anëtarët e tyre do të dalin në grevë më 1 dhe 2 shkurt.
Arsyeja: projektligji i reformës së punës i prezantuar nga qeveria e kryeministrit konservator Petri Orpo, i cili përfshin ndryshime në marrëveshjet kolektive. Qeveria dëshiron gjithashtu të kufizojë të drejtën për grevë, të reduktojë përfitimet e papunësisë.
Finlanda, si pjesa tjetër e vendeve nordike, është e njohur për politikën e saj bujare sociale, e cila ofron mbrojtje të rëndësishme për punëtorët dhe kushte të mira pune.
Nëse këto reforma miratohen, “do të dobësojnë pozitën e punëtorëve përsa i përket sigurisë së punës, mbrojtjes nga shkarkimet e pajustifikuara dhe të drejtës për grevë”, vlerëson Markus Cipola, kurator në Departamentin e Shkencave Sociale në Universitetin e Helsinkit.
Kompania ajrore finlandeze Finnair ka njoftuar për sot dhe nesër anulimin e 550 fluturimeve, duke prekur 60 mijë pasagjerë.
Greva do të ndikojë në funksionimin e shkollave dhe shërbimeve shëndetësore, si dhe në sektorin e industrisë, energjisë, tregtisë dhe hotelierisë. Kostoja e grevës vlerësohet në rreth 360 milionë euro, tha për AFP konfederata e industrive finlandeze (KE).
Ky lloj mobilizimi është relativisht i rrallë në Finlandë, por Markus Cipola nuk përjashton mundësinë e më shumë grevave në pranverë./abcnews.al