Temë diskutimi vendimi për dinarin/ Lajçak pas takimit me Kurtin: Pak progres në dialogun Kosovë-Serbi

schedule18:44 - 30 Janar, 2024

schedule 18:44 - 30 Janar, 2024

Ka përfunduar takimi mes përfaqësuesit të BE-së, Miroslav Lajçak dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti. Pas përfundimit të bisedimeve, Lajçk ka thënë se në fokus ishte vendimi i qeverisë së Kosovës për dinarin.

Gjithashtu ai tha se temë diskutimi ishte sulmi i 24 shtatorit ndaj policisë së Kosovës, ndërsa pyetja më e rëndësishme është ajo se kur do të implementohet marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Vitin e kaluar kemi pasur rezultate të rëndësishme, si njohja e targave, por kishim përparim të vogël në rrugën për Normalizimin e Marrëdhënieve”, ka thënë ai.

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak u takua edhe me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Në takimin Osmani-Lajçak është diskutuar për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë. Presidentja Osmani ka ritheksuar përkushtimin e Kosovës si palë konstruktive në këtë proces. Duke shtuar se është me rëndësi zbatimi i marrëveshjes së Brukselit të 27 shkurtit 2023 dhe aneksi i Ohrit i 18 marsit 2023.

“Osmani ritheksoi nevojën e heqjes së masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, të cilat janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog. Në këtë drejtim, ajo përsëriti se Kosova ka ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, duke miratuar edhe udhëzimin administrativ, ndërkaq theksoi pritjet e saj që kjo e drejtë e qytetarëve të realizohet pa vonesa e në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftimin e Presidencës në Kosovë.

Përfaqësues të BE kanë thënë se ky takim është pjesë e kontaktit dhe ndërveprimit të vazhdueshëm të Lajçak me partnerët për t’i ndihmuar të ecin përpara në dialogun Kosove-Serbi.

Një ditë më parë, Lajçak ishte në Beograd ku u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me të cilin diskutoi për hapat e ardhshëm në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

/abcnews.al/