Një grup dypartiak senatorësh amerikanë shprehën të premten shqetësimin për bashkëpunimin ushtarak mes Koresë së Veriut dhe Rusisë. Sipas tyre një gjë e tillë vë theksin tek nevoja për mbështetje të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për Ukrainën.
Në komentet e bëra veçmas për shërbimin Shërbimit Korean të Zërit të Amerikës, senatorët thanë se bashkëpunimi mes Phenianit dhe Moskës, mund t’i ndihmojë të dy vendet të avancojnë aftësitë e tyre ushtarake.
“Jam i shqetësuar që Koreja e Veriut i ka ardhur në ndihmë me artileri, Rusisë në një kohë kritike dhe raketat balistike të Koresë së Veriut po e ndihmojnë atë të kryejë sulme të ashpra në qendrat civile anembanë Ukrainës”, tha senatori demokrat Chris Coons.
Senatori republikan Pete Ricketts tha se kjo marrëdhënia mes Rusisë dhe Koresë së Veriut do të thotë se financimi shtesë të Shteteve të Bashkuara për Ukrainën duhet të jetë një prioritet. Ndihma për Kievin aktualisht është bllokuar për shkak të një debati për buxhetin dhe imigracionin, mes Dhomës së Përfaqësuesve dhe Shtëpisë së Bardhë.
“Ajo çka duhet të bëjmë është të sigurohemi se po mbështesim aleatin tonë“, tha senatori Ricketts. Ai shtoi se SHBA duhet “të sigurohet që trupat ukrainase të kenë armët që u nevojiten për të qenë në gjendje të luftojnë”.
Senatori demokrat Tim Kaine, tha se afërsia në rritje e Rusisë dhe Koresë së Veriut – si dhe Kinës dhe Iranit – tregon se kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara po mësojnë fuqinë e aleancave.
“Një nga pikat e forta të Shteteve të Bashkuara janë aleancat”, tha senatori Kaine. “Por ata po e kuptojnë se ky është një avantazh i madh për SHBA-në dhe kështu … ata po përpiqen të krijojnë linjat e bashkëpunimit sepse nuk i kanë pasur ato”.
Senatori demokrat Chris Van Hollen i bëri jehonë qëndrimeve të zotit Ricketts, duke thënë se dërgesat e vazhdueshme në armë nga Koreja e Veriut në Rusi do të thotë se është koha që Kongresi amerikan të veprojë.
“Kjo është përsëri arsyeja se pse është kaq e rëndësishme që Kongresi të kalojë buxhetin shtesë dhe t’i sigurojë popullit të Ukrainës mbështetjen ushtarake që ata kanë nevojë për të mbrojtur veten“, tha zoti Van Hollen./VOA/