Një 45-vjeçar është arrestuar në Tiranë në kuadër të operacionit policor të koduar “Threat 2”.
Gentian Gega, duke i hapur profile false me përmbajtje denigruese, një 23-vjeçareje në rrjetet sociale, e ka përndjekur atë online për një kohë të gjatë, duke i sjellë shqetësim asaj dhe familjarëve.
Pas një hetimi shumë të shpejtë dinamik dhe të mirëfilltë, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, u ndalua 45-vjeçari.
Në këto rrjete sociale 45-vjeçari bënte postime denigruese ndaj 23-vjecares. Pavarësisht se i është kërkuar që të mbyllte faqet ai nuk ka pranuar, në këtë moment e reja i është drejtuar policisë të cilët kanë zbuluar se kush fshihej pas profileve false dhe denigruese ndaj 23-vjeçares. Mësohet se dy personat në fjalë njiheshin prej dy vitesh por nuk kanë pasur lidhje mes tyre por vetëm biseda normale si dy të njohur. Kohët e fundit Gentian Gega kishte nisur ngacmimet ndaj të resë, por duke hasur refuzimin e saj, ai ka hapur profilet false në 3 rrjetet sociale.
Operacioni u finalizua nga Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë./abcnews.al