Edhe pse e çoi partinë nga humbje në humbje në 10 vite, kryedemokrati Lulzim Basha thotë se nuk do të bjerë në kurthin e kryeministrit Edi Rama, i cili sipas tij, kërkon t’i largojë njerëzit nga politika.
Gjatë konferencës me gazetarët, Basha u shpreh se duhet që Partia Demokratike të ngjallë besim te shqiptarët dhe t’u tregojë rrugën se si ndryshohet realiteti në të cilin gjendet vendi.
“Sa herë që dikush kërkon të devijojë debatin, do të prezantojë shifra te vërteta, ose jo të vërteta. Debati për opozitën dhe për vizionin e opozitës zhvillohet mbi aftëstinë e opozitës për të bërë për vete shqiptarët. Kjo është e vështirë kur Edi Rama kërkon t’i largojë njerëzit nga politika. Problemi nuk është politika, problemi janë politikanët. Energjia ime, vëmendja ime si kryetar i Partisë Demokratike, është që të mos mbetemi në kurthin e kungulleshkave të ditës, por t’u tregojmë shqiptarëve rrugën se si ndryshohet realiteti. Një program dhe një ekip kandidatësh për deputetë, të cilët ngjallin besimin se Partia Demokratike dhe opozita posedojnë vizion, vendosmërinë për të ndryshuar vendin.
Kjo është ajo që po bëjmë sot. Po bëhen sulme, shpifet, këtu po ju them, ky kruth për t’u berë pjesë e kësaj loje balte, do të vazhdojë. Do bëjmë gjithçka që të mos rrëshkasim në të. Njerëzit duan të dinë nëse Partia Demokratike, nëse Partia Demokratike ka një platformë për të nxjerrë vendin nga kriza, njerëz të besueshëm dhe vendosmërinë për ta çuar këtë deri në fund. Çdokush që vendos interesin e tij personal, i ka bërë hesapet gabim, nuk ka për ta penguar Partinë Demokratike”, theksoi ai./abcnews.al