Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, tha se ngjarje të dhunshme në veri të Kosovës, pas ngjarjeve në Banjskë në shtatorin e vitit të kaluar, Uashingtoni nuk do të lejojë të përsëriten.
Gjatë një bashkëbisedimi virtual me gazetarë më 11 janar, O’Brien u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të shmangin veprimet provokuese në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, shkruan REL.
“Mendoj se është shumë e rëndësishme, veçmas pas ngjarjeve në shtatorin e kaluar, ku një grup tentoi të importonte një numër të madh të armëve që do të mund të shkaktonin dhunë të madhe, nëse do të lejoheshin të çonin në fund planet e tyre, kjo është diçka që të dyja palët duhet ta kuptojnë se ne nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë sërish”, tha ai.
Zyrtari i lartë amerikan tha se Ballkani Perëndimor “duhet të jetë evropiane, stabile dhe e sigurt, mbi të gjitha ky rajon ka nevojë për integrim ekonomik”.
Ai tha se kjo çështje është kyçe për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, pasi popullsia e tyre po largohet për shkak të mungesës së perspektivës ekonomike.
O’Brien përsëriti se qëndrimi i SHBA-së nuk ka ndryshuar sa i përket mbështetjes së procesit të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.