Boston Celtics e kishte shumë të thjeshtë fitoren ndaj Sacramento Kings në ndeshjen e radhës në basketbollin amerikan. Celtics triumfuan me shifrat 144-119 në ndeshjen e luajtur në “Golden Center”.
Pavarësisht se perioda e parë e sfidës ishte më e mirë për vendasit, pjesa e parë u mbyll me avantazhin e 17-herë kampionëve të NBA, me shifrat 66-74. Pas pushimit, Celtics thelluan edhe më tej diferencën, nisur edhe nga paraqitja fantastike e dyshes Brown-White. Në fund po luhej vetëm për statistika, pasi rezultati ishte i pamundur që të përmbysej. Me këtë sukses Boston ruan vendin e parë në konferencën e lindjes, ndërsa Sacramento mbetet në vendin e pestë në perëndim.
Në përballjen tjetër më të fortë të mbrëmjes, Denver Nuggets mposhti 113-104 në transfertë skuadrën e Toronto Raptors. Ndeshja që u luajt në Kanada prodhoi shumë emocione, pasi kampionët e Nuggets zhvilluan një sfidë më dy fytyra. Në pjesën e parë, Denver ishte më mirë se kundërshtari dhe shkoi në dhomat e zhveshjes me rezultatin 61-44.
Në fraksionin tjetër të duelit, Raptors rihapën takimin deri pak para fundit, por pa mundur të marrin avantazhin. Shkëlqeu mbi parket sërish Nikola Jokic me 31 pikë dhe 15 topa në tabelë, ndërsa nga ana tjetër, më i miri për vendasit ishte amerikani Barnes, autor i 30 pikëve. Me këtë fitore, Nuggets shkon në vendin e tretë në klasifikimin e Perëndimit, ndërkohë Toronto është jashtë fazës “Play-Off”, përkatësisht në pozitën e 12-të. /i.m /abcnews.al