Një tjetër moment i së vërtetës.
Partizani dhe Egnatia do të luajnë sot finalen e Superkupës së Shqipërisë në “Air Albania”, me të dyja skuadrat që duan trofeun e dytë të vitit.
Të kuqtë u shpallën kampion në fund të sezonit të shkuar, ndërsa ekipi nga Rrogozhina fitoi për herë të parë një titull në historinë e tij, Kupën e Shqipërisë në finalen në Elbasan kundër Tiranës së madhe.
Trajneri i Partizanit, Arbër Abilaliaj padyshim që e kërkon trofeun dhe këtë e tregon edhe në intervistën e tij për ABC News.
“Mbi të gjitha është një trofe, është një trofe shumë i rëndësishëm për klubin, për ambientin dhe ashtu siç thatë edhe ju më parë është trofeu i parë i këtij sezoni, Normal e kemi vlerësuar jashtëzakonisht shumë, duke marrë parasysh rëndësinë, që ka për klubin tonë. Normalisht është edhe një shans, një ‘ogur i mirë’ për të thyer këtë serinë e barazimeve, duke marrë parasysh edhe faktin, që këto dy ndeshjet e fundit meritonim më shumë”.
Gjithsesi, Egnatia mbetet e pathyer nga “Të Kuqtë” ndërsa mundësia është që finalja të shkojë edhe me 11-metërsha.
“Patjetër është një opsion. Ne në të dyja ndeshjet që kemi zhvilluar ndaj Egnatias, sidomos ajo e fundit, që kemi zhvilluar atje ka qenë një përballje shumë e luftuar, një ndeshje shumë e bukur për t’u parë ka qenë një ndeshje, me raste mëse të shfrytëzueshme nga të dyja palët, të cilat kërkuan gjatë gjithë kohës fitoren. Besoj se edhe kjo do të jetë një ndeshje e bukur, një ndeshje e luftuar dhe uroj e shpresoj, të thyejmë këto statistikat e barazimeve, sepse normalisht është mirë që loja të mos shkojë deri te penalltitë, pasi aty luan edhe ‘fati’, një pjesë të mirë të lojës”.
Finalja e Superkupës nis në orën 19:00 në “Air Albania”. /i.m /abcnews.al