Belgjika dhe shtete të tjera europiane do të nisin evakuimin e familjarëve të luftëtarëve të ISIS që ndodhen në qendrat e burgimit në Siri. Mes tyre ka edhe shtetas shqiptarë, por qeveria në Tiranë nuk ka deklaruar se cilat do të jenë lëvizjet e saj për riatdhesimin e tyre.
Belgjika dhe vende të tjera europiane po përgatiten të evakuojnë qytetarët e akuzuar për lidhje me Shtetin Islamik nga kampet e burgimit në veri-lindje të Sirisë, përmes një zone të shpallur të sigurt nga forcat turke përgjatë kufirit.
Zyrtarët belgë informuan familjarët e të burgosurve që mbahen në dy kampe se do të përfitojnë nga armëpushimi 5-ditor për të tërhequr shtetasit që dyshohen për lidhje me grupin terrorist.
Gazeta britanike “The Guardian” ka mësuar se edhe shtete të tjera europiane si Franca dhe Gjermania po shqyrtojnë se si të përfitojnë nga armëpushimi për të riatdhesuar gratë dhe fëmijët, mes të cilëve ka edhe shtetas shqiptarë.
Ndërkohë, sa i takon Britanisë dhe vullnetit për të tërhequr shtetasit e saj nga Siria, kjo mbetet për t’u parë.
Sidoqoftë, vendimi i aleatëve për të lëvizur me shpejtësi ka gjasa të rrisë presionin ndaj Londrës për të bërë të njëjtën gjë.
Se çfarë do të bëhet me luftëtarët e ISIS dhe familjet e tyre ishte kthyer në një shqetësim ndërkombëtar pas vendimit të presidentit Donald Trump për të tërhequr papritur trupat nga Siria.
Vendim që shkaktoi frikë se vakumi që do të krijohej do të çonte në shkërmoqjen e sigurisë në katër kampet kryesore të të burgosurve.
Rojet kurde kanë braktisur tashmë një qendër burgimi, duke u lejuar 800 personave, mes të cilëve anëtarë të ISIS, të largohen. Ministri i Jashtëm francez, Zhan Iv lë Drio deklaroi se 9 gra franceze të lidhura me grupin terrorist ishin mes tyre./abcnews.al