Ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi ka komentuar në emisionin “Pas Mesnate” qeverisjen aktuale të Albin Kurtit. Ai ka thënë ndër të tjera se Kurti duhet të harmonizojë marrëdhëniet me SHBA dhe BE.
Sipas Kosumit, fati i shteteve të vogla dhe i të mëdhajave nuk mund të jetë individual, prandaj duhet përkrahja, si pasojë duhet të harmonizohen qendrimet.
“Qeverisja e Albinit ka sjellë disa anë pozitive. Do të thotë në planin e brendshëm siç është ndërprerja e korrupsionit ka një rënie të korrupsionit në strukturat e shoqërisë sonë, por unë e çmoj më shumë planin e jashtëm sesa të brendshëm. Edhe pse ai është i kritikuar shumë për raportet me Serbinë, unë e konsideroi në analizat e mia që ai ka vepruar drejt dhe mençur në raport me Serbinë.
Ai e ka rrit pozitën e Kosovës në negociatat me Serbinë, e ka rrit ndikimin e faktorit Kosovë në atë proces. Ne mund të themi tani që ka ndikuar lufta e Ukrainës shumë, por ai ka bërë disa lëvizje pozitive në këtë drejtim dhe të shohim si do ta luaj lojën deri në fund. Nëse e vazhdon me sukses, nëse e gjen mënyrën e harmonizimit të interesave të Kosovës, sidomos me SHBA, unë besoj se ai do ta përfundojë me sukses këtë punë.
Shteti i Kosovës është produkt i shqiptarëve, por aq edhe më shumë i SHBA sidomos. Prandaj, fati i shteteve të vogla dhe i të mëdhajave nuk mund të jetë individual. Nuk mund Kosova të bëj një rrugë të vetën politike, pa pasur përkrahjen e SHBA dhe BE. Për të pasur këtë përkrahje duhet të harmonizohen qendrimet. Unë shoh këtu ndoshta një pikë, që qeveria e re e zotit Kurti, i cili ka ndërruar shumë struktura nuk e ka kap me kohë këtë hap. Që do të thotë nuk mund të bësh një plan për Kosovën, çfarë do qoftë ai, po nuk e harmonizove mirë paraprakisht me SHBA dhe BE”, u shpreh ai./abcnews.al