Ekstradohen nga Gjermania dhe nga Spanja, 2 shtetas me masë sigurie “Arrest në burg”, caktuar nga GjKKO-ja, për veprimtari kriminale, të kryera në kuadër të 2 grupeve kriminale.
Mësohet se nga Frankfurti u ekstradua 33-vjeçari Ahmed Sulltan, i lindur në Palestinë, i akuzuar si organizator i disa rasteve të dhënies ndihmë emigrantëve, kundrejt 4500-5000 eurove/person, për kalim ilegal në shtetet e BE-së, nga deti dhe nga toka.
Ndërsa nga Barcelona u ekstradua 31-vjeçar shqiptar Gjergj Zefi, i akuzuar për shitje dhe për trafikim të lëndëve narkotike.
Ky operacion u zhvillua si pasojë e bashkëpunimit të Interpol Tirana me homologët gjermanë dhe ata spanjollë, me qëllim kapjen dhe arrestimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Në reagimin zyrtar bëhet me dije; “Nga Frankfurti u ekstradua 33-vjeçari, Ahmed Sulltan shetas i lindur në Palestinë pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar 33-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Ky shtetas akuzohet se është organizator i një grupi kriminal, i cili nga viti 2020, ka kryer disa raste të dhënies ndihmë emigrantëve nga Lindja e Mesme, kundrejt 4500-5000 eurove/person, për kalim të kundërligjshëm në shtetet e BE-së, përmes rrugëve detare dhe atyre tokësore. Ndërsa për 31-vjeçarin, Gjergj Zefi që ekstradua nga Spanja, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’’, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Shtetasi Gjergj Zefi akuzohet se ka qenë pjesë e një grupi kriminal që mbante, transportonte, shiste dhe trafikonte lëndë narkotike. Të ekstraduarit iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për veprime procedurale të mëtejshme”.
/abcnews.al/