“Të Kaltërit” e Italisë arritën, mes shumë polemikash, kualifikimin për në fazën e grupeve, të Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024, ku në përballjen vendimtare ndaj Ukrainës, të përfunduar me rezultatin “e bardhë”, 0 me 0, pati shumë akuza, për një 11-metërsh të mos akorduar në favor në ukrainasve, pas një ndërhyrje të Bryan Cristante, në dëm të Mykhalio Mudryk, në sekondat e fundit të sfidët, 11-metërsh, që mund të kishte lënë kampionët në fuqi, të Evropës, jashtë fazës finale të kompeticionit.
Mirëpo, nëse të gjithë janë kundër, tekniku i Kombëtares italiane, Luciano Spalleti është shprehur se nuk i kanë “vjedhur” asgjë kundërshtarëve dhe se kualifikimi ishte tejet i merituar, megjithatë vetëm disa sekonda më pas në deklaratën e tij shprehet se pavarësisht të gjithave, rasti ku mund të jepej 11-metërshi ishte goxha i dyshimtë.
“Nuk kemi vjedhur asgjë, por e kemi merituar kualifikimin në Kampionatin Evropian. Ndeshja ishte e vështirë për shkak të presionit që kishte dhe ai episod mund të jetë i dyshimtë, por sigurisht jo aq i qartë siç thonë shumë njerëz. Më vjen keq”,- u shpreh tekniku i Italisë, duke u shfaqur jo pak kontrovers në fjalët e tij gjatë deklaratës. /i.m /abcnews.al

