Ambasadori i SHBA-ve, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive. Për mediat, ambasadori amerikan theksoi se fjalën e fundit për këtë draft do ta japë Gjykata Kushtetuese.
“Draft-statuti është prezantuar nga Bashkimi Evropian me prezencë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Është konsideruar që është në respektim të plotë me Kushtetutën e Kosovës. Nuk duhet të kërkohen ndryshime kushtetuese. Nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Nuk duhet të ketë nivel shtesë të pushtetit. Ne besojmë se ky draft-statut që i është dorëzuar Qeverisë së Kosovës, i përmbush të gjitha këto kritere dhe besojmë se është shkruar në një mënyrë që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, tha Hovenier.
Ambasadori shtoi se nuk ka asgjë sekrete për këtë draft, por ‘por negociatat diplomatike dhe angazhimet sensitive mes komunitetit ndërkombëtar me qeveritë shpesh bëhen në kushte diskrecioni’.
“S’ka asgjë sekrete, por negociatat diplomatike dhe angazhimet sensitive mes komunitetit ndërkombëtar me qeveritë shpesh bëhen në kushte diskrecioni. Sepse këto kushte janë të përshtatshme për të arritur në të vërtetë kuptueshmëri dhe avancime të gjërave, qofshin ato marrëveshje dialogu, marrëveshje të Rambujesë… Ka raste kur publiku njoftohet, por ka raste që shkëmbimet diplomatike konfidenciale nuk publikohen derisa të arrihet pajtueshmëria. Nuk mendoj se duhet kërkuar falje pse kemi biseda konfidenciale apo diskrete me qeverinë e Kosovë për një çështje shumë të ndjeshme. Dhe në një kohë të përshtatshme, jam i sigurt se publiku do ta ketë mundësinë ta vlerësojë draft-statutin. Ajo kohë do të përcaktohet në kombinim me qeverinë dhe Lajçakun”, shtoi ambasadori./abcnews.al