KPK shkarkon nga detyra prokurorin Ndini Tavani

schedule10:12 - 11 Tetor, 2019

schedule 10:12 - 11 Tetor, 2019

Vettingu djeg prokurorin e Prokurorisë së Tiranës Ndini Tavani, kandidat për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion. Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit Tavani kishte probleme në të tre kriteret e vlerësimit.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra prokurorin e Prokurorisë së Tiranës Ndini Tavani, kandidatë për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion.

Vendimi për prokurorin Tavani nuk është marrë me shumicë votash, pasi një nga anëtarët e trupës gjykuese të përbërë nga Roland Ilia, Alma Faskaj dhe Brunilda Bekteshi ka qenë kundër.

Prokurori Tavani sipas KPK ka pasur probleme në të tre kriteret e rivlerësimit. Për kriterin e pasurisë relatorja Bekteshi u shpreh se prokurori nuk arriti që të justifikojë bindshëm të ardhurat e tij prej 2.5 milionë lekësh të krijuar në kohën kur punonte si avokat.

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka hartuar dy raporte për Ndini Tavanin, duke konstatuar në të dytin papërshtatshmërinë për vazhdimin e detyrës. DSIK ka ngritur dyshime për “shpërdorim detyre” në lidhje me një çështje për hetimin e disa personave për krijim të skemave mashtruese me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

Për kriterin e aftësive profesionale KPK ka konstatuar problematika në dy prej dosjeve të shortuara. Sipas relatores, një çështje e hetuar nga prokurori Tavani në vitin 2015 ishte pushuar vetëm një ditë pas regjistrimit të procedimit penal.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë është shumë pranë ngritjes së SPAK pasi ka 8 kandidatë me vendim të formës së prerë nga të 3 hallkat e Vettingut, ndërsa 7 të tjerë janë në procesin e Vettingut. Kandidatët me vendim të formës së prerë janë: Altin Dumani, Arben Kraja, Klodian Braho, Enkeleda Millonaj, Edvin Kondili, Ened Nakuçi, Elida Kaçkini dhe Behar Dibra, ndërsa pritet që KLP të komandojë edhe dy prokurorë të tjerë pasi Kushtetuta nuk e lejon ngritjes e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion me më pak së 10 anëtarë.

Nga kandidatët e përzgjedhur nga KLP kanë mbetur pa u vetuar  Anton Martini, Elisabeta Imeraj, Doloreza Musabelliu dhe Anita Jella të cilës ju shty seanca për shkak të provave të reja nga ONM.  Ndërsa Manjola Kajana dhe Besnik Muçi janë të ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

/abcnews.al