Bizneset marrin kredi per investime/ Bankat mbështesin huatë, më optimistë për situatën ekonomike në vend

schedule15:25 - 20 Tetor, 2023

schedule 15:25 - 20 Tetor, 2023

Ekonomia shqiptare është mbështetur me kredi gjatë periudhës janar-shtator. Kërkesa për hua  e bizneseve mbetet e lartë, pavarësisht faktit se mbeten të pranishëm disa faktorë që dekurajojnë kërkesën për kredi, të tilla si ambienti i normave të larta të interesit.Banka e Shqipërisë raporton se  shtimi i kërkesës për kredi u raportua veçanërisht për financimin e investimeve. Biznesi i madh mbetet udhëheqësi kryesor në këtë drejtim.

Përmirësimi i besimit të biznesit, si edhe perspektiva e pritur në disa sektorë të veçantë të ekonomisë, ndër të tjera, kanë shtyrë kryesisht bizneset e mëdha të zgjerojnë më tej kapacitetet e tyre prodhuese.Ndërkohë nga ana tjetër edhe shkalla e miratimit të kredive për bizneset u raportua më e lartë në tremujorin e tretë dhe   u mbështet nga statusi i kredive aktuale, si edhe nga shtimi i kursimeve nga ana e bizneseve.Gjatë tremujorit të tretë bankat janë shprehur optimiste për situatën makroekonomike në vend e perspektivën për të, duke e listuar atë si faktor mbështetës për kushtet e ofertës së kredisë në këtë segment.

Bankat e nivelit të dytë ndoqën politika lehtësuese edhe  për kreditimin e individëve pasi  lehtësuan standardet e kreditimit, si në kreditë për blerjen e banesave, ashtu edhe ato konsumatore, të nxitura kryesisht nga një ambient me konkurrueshmëri të lartë. Megjithatë në momentin e aprovimit huaja për individët u raportua në rënie dhe u nxit kryesisht nga faktorët që refle ktojnë historikun e  kreditit për individët.   Gjatë muajit gusht. Vlera e kredisë për ekonominë arriti në 724.6 miliardë lekë, me një rritje prej 20 miliardë lekësh krahasuar me korrikun.  Ndërsa  me bazë vjetore, kredia i është rikthyer rritjes pozitive, me 1.9% më shumë.

Vlera e kreditimit ne total

Gusht  2023       724,6 miliarde leke

Korrik 2023         704.5 miliarde leke