Kombëtarja U-17 fitoi edhe ndeshjen e dytë miqësore ndaj Kosovës me rezultatin final 3-1. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Ardi Behari siguruan fitoren e dytë radhazi në harkun kohor të dy ditëve. Të tre golat për ekipin kuqezi u shënuan nga Xheto Joi Nuredini dhe Matias Gici, i cili realizoi dopietë.
Trajneri Behari e nisi ndeshjen me këtë formacion: Etem Xhemali (GK), Davide Avdullari, Kris Gecaj, Renato Halili, Samuele Sina, Eraldo Karaj, Kleo Shpuza, Mateo Dashi, Matias Gici, Xheto Joi Nuredini, Tedi Malaj (c).
Kuqezinjtë spikatën me lojën e mirë që në pjesën e parë të takimit, ku realizuan edhe tre golat e fitores. Fillimisht ishte Nuredini ai që zhbllokoi rezultatin e takimit që në minutën e 5-të, ndërsa Matias Gici qetësoi skuadrën me dygolëshin e tij në minutat 20-të dhe 37-të. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin 3-0 për kuqezinjtë ndërsa në fraksionin e dytë, Maksutaj ngushtoi shifrat për Kosovën në minutën e 76-të.
Gjatë pjesës së dytë, trajneri Behari kreu disa zëvendësime në fushë, duke u dhënë mundësinë thuajse të gjithë lojtarëve të tregojnë cilësitë e tyre. Ndeshja u mbyll me rezultatin 3-1, teksa duhet vlerësuar paraqitja e mirë e kuqezinjve të vegjël, të cilët treguan karakter jo vetëm sot, por edhe në takimin e parë.
Këto teste miqësore ishin të fundit për Shqipërinë U-17, në prag të kualifikueseve të Euro 23/24 për këtë grupmoshë. Kuqezinjtë janë pjesë e grupit 5 me Portugalinë, Çekinë dhe Malin e Zi. Ndeshjet do të zhvillohen në periudhën 15-21 nëntor 2023 në Portugali./ h.ll/abcnews.,al