Një histori që nis në Vlorë dhe vazhdon në ringun italian, aty ku një djalosh shqiptar po ndërton emrin e tij në sportet e luftimit. Luis Hodaj lindi në një periudhë të vështirë, kur prindërit e tij po emigronin drejt Italisë, por pikërisht aty nisi edhe një rrugëtim që do ta lidhte përgjithmonë me sportin.
Që në moshën 5 vjeç e gjysmë nisi të merrej me kickboks, ndërsa vetëm pak vite më vonë do të përballej me sportistë nga vende të ndryshme. Në moshën 11-vjeçare zhvilloi garën e parë ndërkombëtare në Spanjë, një eksperiencë që e bindi se ringun e kishte zgjedhur si rrugën e tij.
Sot, edhe pse jeton në Itali, Luis e mban me krenari identitetin shqiptar dhe në çdo ring prezantohet si djali i Vlorës. Ai ka marrë pjesë tri herë në Botërorin e Kickboksit, duke arritur edhe vendin e dytë, ndërsa ka fituar disa tituj kombëtarë e ndërkombëtarë.
Në moshën 17-vjeçare u shpall kampion i Italisë në peshën 67 kilogramë, ndërsa në vitin 2024 fitoi Kampionatin Italian të Klasit A në Montecatini Terme. Për Luisin, kickboksi dhe Muay Thai nuk janë vetëm sporte. Ato i kanë mësuar disiplinën, respektin, sakrificën dhe mbi të gjitha, të mos dorëzohet.
Sot ai është pjesë e “Sport Club Virtus 1906”, ku stërvitet nën drejtimin e Alessandro Andellinit dhe Luca Sergit. Në rrugëtimin e tij ka edhe një emër të njohur të futbollit italian, Totò Di Natale, i cili mbështet zyrtarisht karrierën e të riut shqiptar.
Një tjetër moment i rëndësishëm erdhi me Fight Clubbing Grand Prix, ku Luis siguroi pjesëmarrjen pas fitores ndaj Moslem Ben Amor në finalen e Emilia-s. Më 19 shtator, ai u ngjit sërish në ring, këtë herë në Izmir të Turqisë, në edicionin e 43-të të Fight Clubbing.
Një tjetër sfidë ndërkombëtare për kampionin shqiptar, ndërsa paralelisht ka nisur edhe puna për një dokumentar të DAZN, ku do të rrëfehet rrugëtimi i tij dhe i protagonistëve të tjerë të sporteve të luftimit./abcnews.al

