Konflikti i armatosur/ Pedagogu: Pse Izraeli po heziton për ndërhyrje ushtarake në Rripin e Gazës

schedule18:39 - 10 Tetor, 2023

schedule 18:39 - 10 Tetor, 2023

TIRANË- Përplasja e armatosura në Rripin e Gazës prej fundjavës së shkuar është kryefjalë në mediat botërore, ndërsa diplomacia vijon përpjekjet për të frenuar sadopak avancimin e konfliktit  mes Hamasit dhe Izraelit.

Pedagogu i marrëdhënieve ndërkombëtare Emilio Çika, i ftuar në “Special Report”, u shpreh se nuk mund të flasim për përfshirje të plotë të Palestinës, pasi qeveria e saj ka një distancim me grupin e Hamasit.

“Është një krizë ose një sulm që po merr përmasa të një lufte mes dy entiteteve, të Izraelit nga njëra anë dhe Palestinë. Nuk do thosha të gjithë Palestinës në përgjithësi, por është kryesisht i drejtuar ndaj Hamasit. Pse nuk e përfshij të gjithë Palestinën në këtë diskutim? Ajo që është qeveria palestineze ka ndoshta një distancim të caktuar nga Hamasi, pasi Hamasi është një organizatë politike, me një krah të themi ushtarak, i cili është kategorizuar nga ndërkombëtarët si terrorist. E gjithë kjo nuk mund t’i faturohet të gjithë Palestinës si entitet shtetëror. Ka përplasje mes Izraelit dhe përplasjes mes fraksioneve brenda Palestinës”, tha ai.

Ai theksoi se deri tani Izraeli ka bombarduar me raketa, por nuk e ka gjetur ende mbështetjen e duhur nga aleatët për ndërhyrje ushtarake brenda rripit të Gazës. Pedagogu theksoi se konfliktit nuk mund të zgjidhet pa instrumente politike dhe pa bisedime mes aktorëve, që janë protagonistë në fushë-betejë.

“Nga të paktën me deklaratat që vijnë nga Izraeli, nuk do jetë një përplasje me afat të shkurtër me afat disa ditor, por do shtrihet. Vetë zyrtarët izraelitë e kanë pranuar se mund të jetë më e gjatë. Pse? Sepse ka disa elementë se pse do ta shtyjnë. Në radhë të parë për arsye se vetë aspekti gjeografik në të cilën po ndodh përplasja. Flasim për Rripin e Gazës, e cila është një enklave e rrethuar. Izraeli për hyrjen me trupa ushtarake po heziton. Madje është në diskutim me aleatët strategjikë. Për përparim në Rripin e Gazës me trupa ushtarake dhe ky është diskutimi momental me aleatët, të cilët deri tani nuk i kanë dhënë një mbështetje për hyrjen ushtarake në Rripin e Gazës. Kjo është një fazë e përplasjes, por jo zgjidhja e konfliktit. Zgjidhja mund të vijë me zgjidhje politike”, tha ai./n.m.abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!