Britania mund të dëbojë një numër të ngjashëm diplomatësh izraelitë nga vendi nëse Izraeli zbaton urdhrin për mbylljen e konsullatës britanike në Jerusalemin Lindor, thanë për Reuters katër burime të njohura me çështjen.
Izraeli urdhëroi më 8 shtator që konsullata britanike të mbyllet brenda 30 ditësh dhe diplomatët britanikë të largohen nga qyteti. Masa erdhi pasi Londra njoftoi se do të ndalojë tregtinë me mallra të prodhuara në vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Afati për mbylljen e konsullatës përfundon të enjten. Vendimi do të prekë rreth 30 diplomatë britanikë që punojnë atje, së bashku me familjarët e tyre. Sipas burimeve, nëse konsullata mbyllet, Britania pritet të përgjigjet duke dëbuar një numër të ngjashëm diplomatësh izraelitë nga ambasada e Izraelit në Londër.
Nuk është e qartë se sa shpejt do të ndërmerrte Londra një masë të tillë. Një zyrtar izraelit tha se çdo veprim kundër Izraelit do të përballej me kundërpërgjige.
Përpjekjet diplomatike për të shmangur mbylljen e konsullatës deri tani nuk kanë dhënë rezultat. Këshilltari britanik për sigurinë kombëtare, Jonathan Powell, zhvilloi javën e kaluar një vizitë të padeklaruar në Izrael, ku u përpoq të gjente një zgjidhje me zyrtarët izraelitë, por pa arritur marrëveshje. Megjithatë, një burim tha se Londra ende shpreson për një kompromis.
Dy burime të tjera thanë se Britania u ka kërkuar edhe vendeve evropiane që ta ngrenë çështjen me Izraelin, me shpresën se qeveria izraelite do ta rishqyrtojë vendimin.
Konsullata britanike, e vendosur në lagjen Sheikh Jarrah në Jerusalemin Lindor, është përgjegjëse për marrëdhëniet e Britanisë me palestinezët në Jerusalem, Bregun Perëndimor dhe Gaza, si dhe ofron shërbime konsullore. Ajo ka funksionuar në Jerusalem për gati 200 vjet, shumë përpara themelimit të shtetit të Izraelit në vitin 1948.
Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, e ka akuzuar më herët Londrën për ndërhyrje në zgjedhjet e përgjithshme izraelite, ndërsa qeveria izraelite e ka kritikuar gjithnjë e më shumë qeverinë britanike për qëndrimet e saj ndaj politikave të Izraelit në Gaza dhe Bregun Perëndimor.
Britania ka thënë se vendimi për sanksionet lidhet me zgjerimin e vendbanimeve izraelite dhe rritjen e dhunës së kolonëve ndaj palestinezëve. Londra argumenton se këto politika dëmtojnë perspektivën për një zgjidhje me dy shtete. Qeveria britanike ka njoftuar gjithashtu se do të vendosë një ndalim të importit të mallrave nga vendbanimet izraelite në territoret e pushtuara.
Franca dhe Kanadaja iu bashkuan masave ndaj vendbanimeve izraelite, por Izraeli nuk ka ndërmarrë një veprim të ngjashëm ndaj Parisit apo Otavës.
Përplasja diplomatike shënon një tjetër përkeqësim të marrëdhënieve mes Britanisë dhe Izraelit, aleatë tradicionalë që muajt e fundit janë përplasur gjithnjë e më shumë për luftën në Gaza, zgjerimin e vendbanimeve dhe dhunën ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor.


