Haradinaj reagon ndaj deklaratave të Borrell: Keqardhje për cektësinë e njohurive të tij

schedule22:25 - 7 Tetor, 2019

schedule 22:25 - 7 Tetor, 2019

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, reagoi në rrjetet sociale në lidhje me një deklaratë të Josep Borrel, i cili pritet të jetë komisionari i BE-së për politikën e jashtme. Ai u shpreh se ndjen keqardhje për cektësinë e njohurive të Borrell për Ballkanin.

“Sot, kur dëgjojmë z.Borrell, i nominuar për të zëvendësuar znj.Mogherini, duke deklaruar gjatë seancës dëgjimore para Komisionit për Politikë të Jashtme, se Kosova asnjëherë nuk do jetë shtet përderisa nuk njihet nga Kina, Rusia, e India, ndjej keqardhje për cektësinë e njohurive të tij për rajonin tonë, ndërsa pretendon të udhëheqë politikën e jashtme të BE-së.

Ia kujtojmë z.Borrell parimin themelor – se njohja sipas të drejtës ndërkombëtare, nuk e bën apo zhbën qenësinë e shtetit. Njohja është akt politik, dhe nuk e percakton funksionalitetin juridik e politik të shtetit”, shkruan Haradinaj.

Haradinaj shprehet se është me fat që ka bekimin e shumicës së shteteve demokratike perëndimore, që vazhdojnë ta përkrahin vendin në secilën fushë. Ndërkohë deklarata e Borrell sipas tij, provon  nivelin e ulët të besimit dhe njohjes sipërfaqësore të rrethanave në Ballkan nga Borrell.

“Kosova pret seriozitet dhe respekt të ndërsjellë nga përfaqësuesit e Komisionit Evropian, sidomos tani që udhëhiqet nga Gjermania. Besojmë fuqishëm se degradimet, shkarjet, dhe ofendimet e tilla, nuk do të lejohen më nga institucionet e BE-së. Kosova që nga viti 2017, nuk pranon trajtime nën nivelin e shtetësisë dhe sovranitetit të plotë të saj”, shkruan Haradinaj.

Josep Borrell pritet të jetë shefi i ri i politikës së jashtme dhe sigurisë së Bashkimit Evropian. Ai pati ditën e sotme një dëgjesë në komisionin e punëve të jashtme të BE-së ku shpalosi idetë e tij.  Borrell theksoi se vizitën e parë do ta zhvillojë në Kosovë, ndërkohë që vendi i tij, Spanja, nuk e njeh akoma si shtet.

Ndër të tjera, Borrel është shprehur se “Njohja e Kosovës është çështje e shteteve anëtare. Ne kemi qasje të ndryshme për njohjen e pavarësisë, por jemi të bashkuar për angazhimin. Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje dhe do të bëj ç’është e mundur për të përmbushur këtë prioritet. Mendoj, se nëse nuk zgjidhim problemet e fqinjëve tanë më të afërt, do jetë e vështirë  të besohet se ne jemi një fuqi gjeo-strategjike. Nuk ka rëndësi se ç’po bën Spanja, pasi përsa kohë Rusia, Kina apo India nuk do njohin pavarësinë e Kosovës, Kosova nuk do jetë shtet”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!