Kukësi u mposht një ditë më parë nga Vllaznia dhe normalisht të gjithë në kampin verilindor ndihen keq. Ata humbën një mundësi të mirë për t’u ngjitur në vendin e parë në klasifikim. Presidenti Safet Gjici ishte munduar ta karikonte skuadrën pas humbjes me Teutën.
Për këtë ai kishte vendosur të anulonte një vendim për gjoba dhe u kishte komunikuar lojtarëve se do të kishin premio nëse do të fitonin tre ndeshjet e radhës ndaj Vllaznisë, Skënderbeut dhe Luftëtarit. Në letër dukej një objektiv i lehtë, por shkodranët ua hoqën dje lojtarëve të Kukësit mundësinë për të marrë shpërblim.
ECURIA – Kukësi e nisi kampionatin me dy fitore, por më pas gjërat nuk kanë shkuar mirë. Në pesë ndeshjet e fundit, verilindorët kanë marrë vetëm katër pikë. Kukësi ka marrë një pikë me Laçin dhe ka triumfuar me Tiranën. Bylisi, Teuta dhe Vllaznia së fundmi e kanë mposhtur skuadrën verilindore.
Kjo e fut disi në presion ekipin e drejtuar nga Shpëtim Duro. Gjithsesi ka edhe diçka pozitive, që nuk ua ul moralin: vendi i parë është vetëm dy pikë larg. Gara është e hapur, ndeshje ka plot dhe diferenca mes skuadrave është shumë e vogël. /abcnews.al