Bonueset janë diçka normale në futboll, sidomos pas arritjeve të mëdha sportive. Ndryshimi i vetëm në Shqipëri lidhet me mënyrën si shpërndahen ato. Çështje tradite, pasi na pëlqen ta shohim paranë fizike dhe siç ndodh gjithmonë në raste gëzimi, ajo hidhet në mënyrë demonstrative.
Kjo është edhe arsyeja që video e festës së Dinamo City në dhomat e zhveshjes pas kualifikimit në play off e Conference League ka bërë xhiron e botës dhe është publikuar nga mediat më të mëdha sportive në Europë.
Aty shfaqet presidenti, Ardian Bardhi, që hyn në dhomat e zhveshjes dhe ndez akoma më shumë festën me një çantë të mbushur me para. Një gjest normal për standartin shqiptar, por jo për mediat ndërkombëtare që e kanë publikuar në versionet e tyre on line.
“Dinamo në play off e Conference League, presidenti I hedh kartmonedha lojtarëve”, shkruan “La Gazzetta Dello Sport” në komentin që shoqëron videon. “Çmenduri: një president hyn me vrull në dhomën e zhveshjes duke bërtitur dhe u hedh lojtarëve të tij një çantë me para”, është përshkrimi i më të madhes sportive spanjolle “Marca”, që më pas shpjegon se kjo ishte premio pas kualifikimit historik të skuadrës shqiptare në play off e Conference League.
Por kjo video mund të ketë një tjetër vazhdim, nëse Dinamo siguron kualifikimin në fazën e grupeve. Nëse kalojnë qipriotët e Pafos, presidenti Bardhi ka premtuar një tjetër premio, madje akoma më të majme për skuadrën./abcnews.al


