Sulmi vetëvrasës, i cili ndodhi jashtë ministrisë së brendshme të Turqisë në Ankara të dielën në mëngjes, duke vrarë dy sulmues dhe duke plagosur dy policë mund të ketë një ndikim negativ në një tjetër çështje, si anëtarësimi i Suedisë në NATO që është ende pezull, sipas një analize të Bloomberg.
Përgjegjësinë për sulmin e djeshëm e mori një grup që dyshohet se ka lidhje me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit ( PKK ), e cila cilësohet si një organizatë terroriste nga Ankaraja.
Të dielën vonë mbrëma, Ministria e Brendshme turke njoftoi në fakt, se të paktën një nga dy autorët e sulmit është konfirmuar se ka pasur lidhje me PKK-në, ndërkohë që pothuajse menjëherë, në orët e para pas sulmit, ushtria turke nisi bombardimet ajrore kundër objektivave të organizatës kurde në Irakun verior.
Suedia dhe NATO nuk kanë asnjë lidhje me sulmin terrorist që ndodhi dje në kryeqytetin turk. Megjithatë, sulmi i përmendur vjen për të shtuar pengesa të reja mbi perspektivën e Stokholmit në NATO.
Tre muaj pas samitit të NATO-s të mbajtur në Vilnius, Lituani korrikun e kaluar, anëtarësimi i Suedisë ende nuk është ratifikuar nga Asambleja Kombëtare Turke, e cila u kthye nga pushimet verore vetëm dje, ditën e sulmit terrorist, raporton abcnews.al.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha korrikun e kaluar se do t’i jepte dritën jeshile Suedisë për t’u bashkuar me Finlandën në NATO si anëtarja e 32-të e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut.
Udhëheqja turke, për disa muaj, bllokoi rrugën e Suedisë në NATO, duke pretenduar se vendi skandinav është zhvilluar në një strehë për “terroristët” kurdë, të lidhur me PKK, milicitë YPG/YPJ që përbëjnë një “kërcënim” për sigurinë turke
Duke iu përgjigjur “shqetësimeve” turke, Stokholmi së fundmi ndryshoi legjislacionin e tij anti-terrorist me qëllim që t’i hapte rrugën heqjes së vetos turke dhe pranimit të Suedisë në NATO.
Sulmi terrorist i së dielës, megjithatë, vjen në një kontekst të tillë, për të komplikuar zhvillimet.
“Erdogani ka të ngjarë të përdorë sulmin e fundit të dhunshëm të PKK-së në zemër të kryeqytetit turk si një mjet për të shtyrë Suedinë të ndërmarrë veprime shtesë kundër mbështetësve të organizatës kurde,” tha për Bloomberg Nihat Ali Ozcan, një analist.
Në sfondin e sulmit të së dielës së kaluar, Ankaraja mund të ngrejë kundërshtime të reja për anëtarësimin e Suedisë në NATO.
Vetë Erdogan, nga ana e tij, tani, sipas asaj që Nihat Ali Ozcan raporton në Bloomberg, mund të përpiqet të kërkojë lëshime të tjera nga aleatët perëndimorë të Turqisë (për shembull, ringjallja e negociatave të anëtarësimit me BE, lehtësimi i kufizimeve të vizave për turqit që duan të udhëtojnë në Bashkimin Europian, blerjen e avionëve luftarakë F-16 nga SHBA, etj.).
Jo rastësisht, presidenti turk ka ripërsëritur tashmë disa nga kërkesat e sipërpërmendura turke dje si pjesë e fjalimit të tij nga Ankaraja, vetëm pak orë pas sulmit terrorist.
/abcnews.al