Emërimi i Grenell në dialogun Kosovë-Serbi mund të përshpejtojë marrëveshjen

schedule15:26 - 6 Tetor, 2019

schedule 15:26 - 6 Tetor, 2019

Vendimi i presidentit amerikan Donald Trump që të caktojë ambasadorin Richard Grenell të dërguar special për dialogun Kosovë-Serbi, interpretohet si një dëshmi se çështja po rikthehet në qendër të vëmendjes së Shtëpisë së Bardhë. Në të njëjtën kohë, ekspertët shprehen se Grenell, si njeri i besueshëm i presidentit Trump mund të rikthejë në tryezë idenë për shkëmbim të territoreve.

Sinisha Vukoviç, profesor në Universitetin John Hopkins të Uashingtonit është i mendimit se ndonëse Richard Grenell nuk ka ndonjë përvojë me rajonin, prapëseprapë është një njeri që ka rol tepër serioz në zhvillimet në Shtëpinë e Bardhë. Caktimi i tij i dërguar i posaçëm në dialogun Kosovë-Serbi, thotë Vukoviç, është paralajmërim për përfshirjen direkte të Shteteve të Bashkuara në këto negociata.

“Ky është sinjal i drejtpërdrejt se Amerika dëshiron të marrë një pozicion sa më qendror. Nga ana tjetër, thuhet po ashtu se ky nuk është më vetëm problem evropian. Pra, ky ka qenë problem evropian deri tani, kështu e ka trajtuar edhe Amerika, ndërkohë që Evropa kishte përparësi. Ky tani po bëhet problem amerikan. Përse ky po bëhet problem amerikan, përkatësisht çështje me të cilën Amerika dëshiron të merret, mbetet të shihet”, thotë profesori Vukoviç duke mos përjashtuar mundësinë që vendimi i Presidentit Trump të acarojë marrësit e vendimeve në Bashkimin Evropian, por edhe disa vende evropiane, përfshirë këtu Gjermaninë.

Kolegu i tij nga po i njëjti universitet, Daniel Server, po për seksionin serb të Zërit të Amerikës, shprehet se caktimi i Grenellit në fakt është përpjekje për të ringjallur idenë për shkëmbim territoresh mes Kosovës e Serbisë.

“Zoti Grenell ka një rang më të lartë nga Palmeri për dy arsye: Ai është ambasador dhe ka lidhje direkte me Shtëpinë e Bardhë. Për mua është krejtësisht e qartë se planifikojnë që ai të marrë funksionin kryesor të përfaqësuesit të posaçëm për Ballkanin, pra që të merret me çështjen e Beogradit dhe Prishtinës. Vërtet është bizarre. Supozoj se ky është paralajmërim që të ringjallet ideja e shkëmbimit të territoreve mes Beogradit dhe Prishtinës që është një ide e tmerrshme që u shua nga vdekja natyrore, para disa muajsh dhe është plan i keq tentimi për ringjalljen e saj”, thotë Daniel Server./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!