Barcelona shkatërroi Realin 3-0 në Madrid

schedule16:01 - 23 Dhjetor, 2017

schedule 16:01 - 23 Dhjetor, 2017

Barcelona nuk i la asnjë shans Realit në “El Klasikon” e luajtur në Madrid. Katalanasit fituan 3-0 dhe u shkëputën edhe më shumë në renditjen e Ligës Spanjolle.

Duhen edhe 21 javë, por duket se gjithçka ka marrë fund.

E si mund të mendohet ndryshe kur Barcelona fiton thellësisht “El Klasikon” në Madrid dhe shkëputet 14 pikë nga Reali që përpara Krishtlindjeve?

Ishte mundësia e fundit për madrilenët, një mundësi që u kthye në një disfatë për t’u mbajtur mend.

Nëse arrihej fitorja, diferenca ngushtohej, plus ishte edhe një ndeshje më shumë për t’u luajtur, ndërsa me katastrofën 0-3, kapitullimi duket i pashmangshëm.

Skuadra e trajnerit Zidan nuk besohet se mund ta mbrojë titullin e fituar dje, dhe vetë francezi rrezikon stolin.

Pavarësisht simpatisë së madhe të presidentit Perez, tek Reali mbijeton vetëm po fitove trofe.

Duket paradoksale që turpërimi erdhi pak ditë pasi u fitua Kupa e Botës për Klubet, trofeu I pestë për Madridin në një vit, së bashku me titullin në Spanjë, Championsin, Superkupën e Europës  dhe Superkupën e Spanjës.

Përse dështoi kaq keq ekipi që mendohej më i miri në botë?

Padyshim, ngarkesa ka qenë më e madhe se të tjerët, po ashtu edhe vetëkënaqësia.

Shtoi këtu edhe rënien e formës së Kristiano Ronaldos, Karim Benzemasë apo dëmtimet e Garet Bejlit, si dhe dobësinë e lojës në mbrojtje.

Për katalanasit realizuan Suarez, Vidal e Mesi, madje ky i fundit fitoi edhe garën e fundit të vitit me Ronaldon, atë të shënuesit më të mirë të 2017-ës, duke pasur 54 rrjeta ndaj 53 të portugezit.

Barcelona e trajnerit Valverde ndoshta nuk është aq e bukur sa ajo që luante tiki-takën, si me Guardiolën apo Luis Enriken, por është shumë efikasë, dhe sidomos e hekurt në mbrojtje./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!