Kukësi në kërkim të trajnerit pas dorëheqjes së Milinkoviçit

schedule15:25 - 23 Dhjetor, 2017

schedule 15:25 - 23 Dhjetor, 2017

Kukësi i befasuar nga humbja me Luftëtarin dhe dorëheqja e Milinkoviçit. Klubi kampion do të duhet të gjejë sa më shpejt trajnerin e ri.

Planet ishin bërë ndryshe.

Presidenti i Kukësit, Gjici, ishte i bindur se ndeshja me Luftëtarin do të fitohej, aq sa i kishte prerë biletat për në fazë përgatitore futbollistëve dhe trajnerit Mladen Milinkoviç së bashku me stafin.

Disfata e fundit ishte një tronditje e vërtetë dhe e kapi klubin në befasi, veçse nuk arriti ta shpëtonte më trajnerin.

Kukësi bëri me dijë se tekniku serb paraqiti dorëheqjen, gjë që u pranua nga Gjici, dhe bashkë me të u largua edhe stafi I tij teknik, me përjashtim të Ivan Gvozdenoviçit.

Menjëherë ka nisur kërkimi për trajnerin e ri, por për momentin kuksianët nuk janë në gjendje të japin asnjë emër konkret.

Jo se nuk ka kandidatë, të tillë ka plot, madje 30 apo 40 kandidatura shqiptare dhe të huaja, siç shprehen burime pranë presidentit, por ende nuk ka asgjë të qartë.

Dritan Mehmeti, ish-trajner i Korabit, apo Julian Ahmataj edhe ai ish-te dibranët, janë dy nga ata që po përfliten më shumë.

Njeriu i ri i stolit do të duhet të gjendet deri në fund të dhjetorit, pasi në fillim të janarit skuadra duhet të niset për fazë përgatitore.

Duket e habitshme sesi ndryshoi situata pas fitores së rëndësishme në Durrës ndaj Teutës, pikërisht me Milinkoviçin në stol.

Ai sukses u duk se i ktheu gjërat mbarë, ndërsa kriza kishte qenë e fortë me humbjen ndaj Lushnjes 1-3 brenda në Kukës.

Përse dështoi trajneri serb, i afruar me shumë dëshirë nga vetë Gjici?

Arsyet mund të jenë të shumta, që nga mospërballimi i presionit më të madh te kampionët në krahasim me Luftëtarin ku pati sukses sezonin e kaluar.

Po ashtu, konflikti me disa nga lojtarët, dhe ulja e autoritetit në mbledhjet e zhvilluara në zyrën e presidentit, pas akuzave që besohet se i janë bërë nga drejtues të tjerë pranë Gjicit.

Çfarëdo spjegimi që të jepet, Kukësi sot është shumë larg atij që doli kampion edicionin e vjetshëm.

Skuadra jo vetëm që as nuk mendon dot të mbrojë titullin, por rrezikon plotësisht edhe kualifikimin për në Europë, ndërsa në Kupë nuk dihet nëse do të ketë forca të eleminojë Tiranën, që e mundi në finalen e Superkupës në gusht./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!