Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar mëngjesin e së premtes me ambasadorët e Quint-it dhe BE-së për të diskutuar situatën aktuale në veri të vendit pas sulmit terrorist të Serbisë.
Presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me shtetet aleate dhe koordinimit të institucioneve të sigurisë, me qëllim të parandalimit të përsëritjes së akteve të tilla.
“Kosova është e vendosur që të vazhdojë ta promovojë paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe të punojë me komunitetin lokal serb për t’i afruar dhe integruar në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës”, tha ajo.
Sipas Osmanit, ndërkombëtarët duhet t’i kërkojnë llogari Serbisë për veprimet kundër Kosovës, duke ia bërë të qartë se duhet të ndalojë financimin dhe mbështetjen e grupeve kriminale për veprime terroriste.
“Mungesa e masave të tilla mund të keqpërdoret nga ana e Serbisë dhe për rrjedhojë mund të kemi përsëritje të veprimeve terroriste”, ka nënvizuar Osmani./abcnews.al