Shqipëria merr presidencën e radhës së Rrjetit Mesdhetar të Enteve Rregullatore.Në konferencën dy ditore që zhvillohet për herë të parë në Tiranë në datat 28 dhe 29 shtator u bë dorëzimi i Presidencës nga përfaqësuesi i entit rregullator kroat, Josip Popovic, tek Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, e cila deri tani mbante postin e zv/presidentes.
“Dua t’ju falenderoj për besimin që më dhatë në këtë detyrë të rëndësishme. Kam përgjegjësinë e vazhdimësisë së bashkëpunimit të mirë mes nesh, identifikimin dhe përballjen e sfidave që na sjell koha dhe krijimin e urave të reja” tha Krasniqi.
Akti Evropian për Lirinë e Medias, që pritet të miratohet së shpejti nga Këshilli i Evropës ishte temë kryesore e kësaj asambleje. Akti ende nuk ka hyrë në fuqi ndërsa, fokusohet në pavarësinë e mediave, por edhe në transparencën e pronësisë së medias dhe të shpërndarjes së reklamave publike.
“Ky ligj është funksionimi i tregut europian. Kjo ka të bëjë me përmbajten mediatike të vendeve të ndryshme. Ndjekja e objektivave të tregjeve të brendshme shkon krah për krah me mbrojtjen e disa rregullave thelbësore. Ky akt do të japë një influencë të rëndësishme në formësimin e mjediseve mediatike të shumë vendeve europiane. Ajo që e ben me inovative është aplikimi i rregullave si në mediat vizive ashtu edhe ato online” u shpreh Giacomo Lasorella.
Të pranishëm në konferencë ishin krerët e enteve rregullatore të vendeve anëtare të MNRA-së, presidenti i ERGA-s në Itali, Giacomo Lasorella, përfaqësues të platformës së Facebook, Tik-Tok si dhe përfaqësues nga UNESCO./abcnews.al


