Sondazh

Kupa e Botës, shkon:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Balla: Task-forcë e përbashkët mes institucioneve përgjegjëse për të luftuar piraterinë digjitale

schedule14:28 - 1 Korrik, 2026

schedule 14:28 - 1 Korrik, 2026

Në një takim të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian (KKIE), me fokus lufta kundër piraterisë dixhitale dhe audiovizive, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka theksuar se ky fenomen fitohet me zbatim të ligjit dhe bashkëpunim institucional.

Sipas Ballës pirateria nuk është më vetëm një problem i shkeljes së të drejtave të autorit, por një sfidë që prek sundimin e ligjit, ekonominë dhe detyrimet që Shqipëria duhet të përmbushë në procesin e integrimit europian.

Në fjalën e tij Balla tha se ndonëse Shqipëria ka bërë përparim në përafrimin e legjislacionit me atë të Bashkimit Europian, sfida kryesore mbetet zbatimi i ligjit dhe goditja konkrete e rasteve të piraterisë. Sipas tij, fenomeni sot ka marrë përmasa të tjera, duke u zhvilluar përmes platformave streaming, IPTV-ve pirate, serverëve të vendosur jashtë vendit dhe rrjeteve sociale, çka e bën më të vështirë luftën ndaj tij.



“Pirateria sot nuk kufizohet vetëm te sinjali televiziv pa autorizim apo te një faqe interneti e paligjshme. Ajo operon përmes platformave streaming, IPTV-ve pirate, serverëve të vendosur jashtë juridiksionit tonë dhe aplikacioneve që shpërndajnë përmbajtje në kohë reale. Për këtë arsye, lufta kundër këtij fenomeni kërkon shumë më tepër sesa ndërhyrje ligjore; kërkon institucione të koordinuara, kapacitete teknike dhe bashkëpunim që shkon përtej kufijve,” u shpreh Balla.

Balla ka nënvizuar se pirateria dëmton autorët, artistët, gazetarët dhe operatorët mediatikë, deformon konkurrencën në treg, ul të ardhurat fiskale dhe krijon pasiguri për investimet në industrinë kreative. Sipas Ballës, mbrojtja e hapësirës dixhitale është tashmë pjesë e mbrojtjes së ekonomisë dhe demokracisë, ndërsa Shqipëria duhet të ecë në të njëjtin ritëm me Bashkimin Europian në zbatimin e standardeve për shërbimet dhe tregjet dixhitale.

Në përfundim, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Balla kërkoi forcimin e zbatimit të ligjit përmes ngritjes së një task-force të përbashkët mes institucioneve përgjegjëse, rritjen e bashkëpunimit me ofruesit e internetit, partnerët europianë dhe platformat dixhitale, si edhe organizimin e një fushate kombëtare ndërgjegjësuese për të drejtat e autorit.

“Konsumimi i përmbajtjeve pirate është shkelje e ligjit. Qytetarët duhet ta dinë këtë, sepse çdo përmbajtje e konsumuar në mënyrë të paligjshme dëmton autorin, industrinë kreative dhe vetë ekonominë shqiptare. Vetëm përmes zbatimit efektiv të ligjit dhe bashkërendimit të institucioneve mund të fitohet kjo betejë kundër piraterisë dixhitale,” përfundoi Balla.

Fjala e plotë:

Lufta kundër piraterisë dixhitale dhe asaj audiovizive nuk mund të jetë thjesht e vetëm një debat që shumë shpesh zbret vetëm si një element i të drejtave të autorit, por është një test i mirëfilltë i aftësisë së një shteti dhe të gjitha institucioneve të veta për të garantuar zbatimin e ligjit në epokën dixhitale. Për të mbrojtur ekonominë kreative, për të zbatuar parimet e konkurrueshmërisë së ndershme, e mbi të gjitha për të ruajtur besimin e qytetarëve tek institucionet. Për këtë arsye, kjo çështje për të cilën e kemi mbledhur sot Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian është pjesë e kapitullit 7, pronësia intelektuale, një prej atyre kapitujve që ne synojmë ta mbyllim brenda këtij viti, në rrugën tonë të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian, si dhe pjesë e kapitullit 10 për shoqërinë e informacionit dhe mediat. Nëse do t’i hidhnim një sy raportit të Komisionit Europian për vitin 2025, mbi të cilin edhe vetë Parlamenti Europian miratoi dy javë më parë rezolutën e vet, dhe do të shikonim progresin që Shqipëria ka bërë në përafrimin e legjislacionit makinë europiane, do të thonim se Shqipëria është sot mesatarisht e përgatitur në fushën e pronësisë intelektuale. Raporti i Parlamentit Europian përmes rezolutës është shumë i qartë: në fazën ku jemi nuk na mjafton fakti që kemi ligje të mira, na duhet të kemi edhe zbatim të mirë të ligjit. Kemi rezultate konkrete në këtë sektor. Prioritet na mbetet forcimi i institucioneve, krijimi i një historiku rezultatesh në luftën kundër shkeljeve të pronësisë intelektuale dhe veçanërisht ndaj piraterisë dixhitale dhe audiovizive. Jemi një vend që kemi rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar. Më vjen keq t’ua them institucioneve që janë këtu: nuk kemi rezultate konkrete në luftën kundër shkeljeve të pronësisë intelektuale, me një fokus të veçantë tek pirateria dixhitale dhe audiovizive. Edhe pozicioni i përbashkët i Bashkimit Europian për grupkapitullin dy vlerëson nivelin e lartë të përafrimit të legjislacionit shqiptar, por edhe këtu kërkohet forcim i kapaciteteve administrative. Një mbështetje më e madhe për AMA-n, për AKEP-in, në bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional dhe zbatim efektiv të të drejtave të autorit. Ndërsa në kapitullin 10 për shoqërinë e informacionit dhe median, Bashkimi Europian pret nga Shqipëria përafrim të plotë me direktivën për shërbimet audiovizive, aktin e shërbimeve dixhitale dhe aktin e tregjeve dixhitale, dhe Aktin Europian për lirinë e medias. Kjo do të thotë se lufta kundër piraterisë nuk është një çështje periferike. Ju lutem, mos ta shtrojmë si të tillë. Ajo është pjesë e funksionimit të tregut të përbashkët europian. Pas vitit 2030, kur ne do të jemi anëtarë të Bashkimit Europian, operatorët audiovizivë europianë duan që të drejtat e tyre audiovizive të mbrohen. Sikurse operatorët audiovizivë që janë këtu në këtë tryezë sot, duan që edhe pronësia e tyre, investimi i tyre të mbrohet. Është pjesë, pra, e mbrojtjes së investimeve, është pjesë e ekonomisë kreative, është pjesë e sundimit të ligjit, dhe sot lidhet drejtpërdrejt me sigurinë e hapësirës tonë dixhitale.

Sot, kur flasim për piraterinë dixhitale, natyrshëm që unë nuk do t’i shpëtoja tundimit për të mos folur vetëm për pjesën që lidhet me të drejtën e autorit, sepse besoj që biem të gjithë dakord se sot hapësira dixhitale kryesisht ajo e rrjeteve sociale është bërë edhe terreni ku zhvillohen fushata të mirëorganizuara dezinformimi, manipulimi dhe ndikimi të padrejtë të opinionit publik. Dhe kjo është një sfidë që nuk sheh kufij, dhe me të cilën përballen sot të gjitha demokracitë europiane. Pikërisht për këtë arsye, Bashkimi Europian po ndërton një arkitekturë të re rregullatore, në hapësirën e vet dixhitale, përmes Aktit të Shërbimeve Dixhitale dhe Aktit të Tregjeve Dixhitale, por edhe instrumenteve të tjera që synojnë jo vetëm mbrojtjen e të drejtave të autorit, por edhe rritjen e përgjegjësisë së platformave online, luftën kundër përmbajtjeve të paligjshme dhe forcimin e asaj që do të quhej rezilienca demokratike. Shqipëria duhet të eci me të njëjtin ritëm, sepse mbrojtja e hapësirës dixhitale është sot njëkohësisht mbrojtja e ekonomisë e demokracisë dhe e procesit tonë historik në përmbushje të aspiratës për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Pirateria sot nuk kufizohet me të njëjtin sinjal televiziv pa autorizim, apo me një faqe interneti të paligjshme. Ajo operon përmes platformave streaming, përmes IPTV-ve pirate, që vjedhin sinjalin e operatorëve të ndershëm dhe i shesin ato për përfitime të vetat, serverët e vendosur jashtë juridiksionit tonë kombëtar, që nuk kanë asnjë kontroll dhe nuk ka asnjë mundësi autoriteti ynë i mediave apo AKEP-it t’i kontrollojë. Pastaj shkojmë te rrjetet sociale, aplikacionet që shpërndajnë përmbajtje në kohë reale. E marrin kontentin në mënyrë pirate, edhe e ofrojnë kontentin si prodhim të tyre. Për këtë arsye, lufta kundër këtij fenomeni kërkon shumë më tepër sesa ndërhyrje ligjore, dhe kërkon për këtë jemi mbledhur dhe institucione të koordinuara me njëra-tjetrën, jo vetëm dy institucionet që kam në krah, por edhe institucionin e prokurorisë, institucionin e policisë së shtetit, dhe institucione të tjera të përfshira në këtë luftë të përbashkët. Këto institucione të koordinuara vetëm kështu mund ta fitojnë këtë betejë, por kërkon edhe kapacitete teknike, kërkon edhe bashkëpunim që shkon përtej kufijve, dhe prandaj duhet edhe bashkëveprimi me institucionet përgjegjëse të vendeve të tjera. Ka shumë shërbime IPTV që ofrohen në Shqipëri apo shërbime të tjera të piraterisë, le të themi të mënyrës se si funksionon pirateria dixhitale, që serverat nuk i kanë këtu. Dhe ne duhet t’i gjejmë ku janë, dhe t’i ndalojmë atyre penetrimin në tregun tonë dixhital. Pra, kërkon më shumë bashkëpunim me platformat dixhitale, e mbi të gjitha kërkon ndërgjegjësim të gjerë të publikut.

Të konsumosh një material audioviziv pirat është vepër penale. Qytetarët duhet ta dinë këtë, që po bëhen pjesë e një shkelje të ligjit. Dhe kjo nuk bëhet për të mbështetur apo për të mbrojtur biznesin që shpenzon, por sigurisht ky biznes ka nevojë për një lloj sigurie juridike. Dhe në të vërtetë, në çdo përmbajtje të konsumuar në mënyrë të paligjshme, dëmton autorin, dëmton artistin, dëmton gazetarin, operatorin mediatik, industrinë kreative, dhe vetë ekonominë shqiptare, sepse edhe shteti këtu është i dëmtuar, se nuk merr taksat që duhet t’i merrte. Ajo deformon konkurrencën, ul të ardhurat fiskale dhe dëmton klimën e investimeve. Në këtë proces, Kuvendi i Shqipërisë, përmes Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian dhe përmes Komisionit të Komisioneve Përgjegjëse, kanë një rol të pazëvendësueshëm. Së pari, përmes monitorimit të procesit të zbatimit të ligjeve, duke ju informuar se jemi në proces të miratimit të legjislacionit të nevojshëm dhe të ndryshimeve në ligje për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga kapitulli shtatë dhe nga kapitulli dhjetë. Së dyti, përmes funksionimit tonë të pazëvendësueshëm mbikëqyrës, duke monitoruar zbatimin e reformave dhe punën e institucioneve përgjegjëse. Dhe së treti, përmes këtij këshilli, i cili ka krijuar një platformë dialogu përmes pjesëmarrjes së institucioneve, shoqërisë civile dhe operatorëve të biznesit, komuniteteve krijuese, dhe partnerëve tanë europianë. Aktualisht, Kuvendi është i angazhuar në shqyrtimin e një projektligji të ri për të drejtën e autorit dhe në procesin e përmirësimit të legjislacionit për mediat audiovizive, në bashkëpunim me ekspertët e Kuvendit dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Dëshmi e këtij procesi është fakti që ne nuk e shohim atë si një proces formal, por si një proces të vazhdueshëm të modernizimit të shtetit shqiptar. Kush do të thoshte sot që s’paskan hall tjetër, paskan dhe hallin e piraterisë dixhitale. Unë mendoj që të paktën nga prezenca e vazhdueshme në Parlamentin Europian mund t’ju them që kjo është një prej çështjeve që diskutohet më shpesh jo vetëm në Parlamentin Europian, por edhe në parlamentet e vendeve anëtare. Dhe për të avancuar më tej, duhet të përqendrohemi mendoj unë në disa prioritete të qarta që le të jenë dhe pjesë e thelbit të diskutimit të këtij takimi të sotëm të Këshillit Kombëtar të Integrimit.

E para, të fokusohemi te forcimi i mekanizmave për bllokimin e përmbajtjeve pirate, dhe këtu do të kërkoja të gjitha institucionet e përfshira ngritjen e një task force të përbashkët me një axhendë konkrete veprimesh për të parandaluar çdo lloj forme të shfaqjes së piraterisë dixhitale, rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional në kuadër të kësaj taskforce, përfshirjen e aktive të ofruesve të internetit, duhet të kemi një kontroll sipas legjislacionit në fuqi, bashkëpunimin me organizatat dhe me vendet partnere europiane, dhe duhet të ndërmarrim në bashkëpunim me televizionet kombëtare dhe me të gjitha mediat e tjera online, gjithashtu të regjistruara, jo ato të paregjistruara, për të iniciuar një fushatë kombëtare në edukimin e publikut mbi të drejtat e autorit dhe mbështetjen e alternativave ligjore në tregun dixhital. Konsumimi nga ana e publikut i produksioneve të vjedhura në mënyrë pirate, duhet të ngulitet në mendjen e çdo shqiptari se është një shkelje e ligjit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!