Nis procesi i numërimit në Kukës/ Majko: Qytetaria kuksiane foli, presim rezultat pozitiv

schedule23:26 - 24 Shtator, 2023

schedule 23:26 - 24 Shtator, 2023

KUKËS- Me katër orë vonesë ka nisur procesi i numërimit të votave në zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Kukësit.

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në Kukës, Pandeli Majko tha për ABC News se procesi i votimit ka qenë i qetë dhe nuk ka pasur incidente.

Ai theksoi se PS-ja pret rezultat fitues, por ky vullnet sigurisht  duhet të konfirmohet pas numërimit të votave, që qytetarët kuksianë kanë hedhur në kutitë e votimit.

“Procesi ishte i qetë. Qytetaria kuksiane tregoi se këtu do të fitojë më i miri. Ne presim rezultat pozitiv, tani qytetarët e vendosin”, tha Majko.

Në garë për bashkinë e Kukësit janë Albert Halilaj nga Partia Socialiste dhe Emri Vata nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”.

Në kutinë e parë të numëruar, Albert Halilaj ka marrë 154 vota, kurse Emri Vata 107.

Gazetarja e ABC News Erneta Shevroja thotë se referuar ecurisë dhe në krahasim me zgjedhjet e 14 majit, rezultati përfundimtar pritet të shpallet më shpejt, kjo për shkak se procesi i numërimit ka nisur me herët./ n.m.abcnews.al