Jashtë bankave 2.3 miliardë euro, Tabaku: Në ekonomi po hidhen para të drogës

schedule15:20 - 5 Tetor, 2019

schedule 15:20 - 5 Tetor, 2019

Partia Demokratike ngre alarmin se në ekonominë shqiptare po qarkullojnë jashtë bankave sasi të mëdha të parave të drogës. Duke iu referuar një raporti të fundit të Bankës së Shqipërisë, ish-deputetja Jorida Tabaku në një intervistë për ABC News deklaron se paratë e ardhura nga rrugë kriminale po çojnë drejt falimentit biznese të ndershme. 

Jashtë bankave të Shqipërisë qarkullojnë 2.3 miliardë euro. Sipas Bankës së Shqipërisë 22.2% e gjithë parasë në vend, qarkullon jashtë sistemit bankar në formën e parasë cash. Për Partinë Demokratike kjo shifër alarmante është tregues se para të pista kryesisht të ardhura nga trafiku i lëndëve narkotike po qarkullojnë me shpejtësi në ekonominë shqiptare.

Shifra e 288 miliardësh lekësh që qarkullon në ekonomi është më e larta që nga viti 2009, kohë kur kishte një valë tërheqje depozitash për shkak të panikut që u krijua nga kriza globale financiare. Për ish-nënkryetaren e Komisionit të Ekonomisë kjo është një këmbanë alarmi për daljen e bizneseve të ndershme jashtë ekonomisë.

Demokratët shohin një kontrast të fortë mes boomit të lartë të ndërtimeve dhe parasë së madhe që qarkullon jashtë sistemit. Dhe këtu sërish dyshimi i çon tek burimi i palighshëm nga i cili vijnë këto para.

Ministria e Financave ka hartuar ligjin e ri “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i njohur ndryshe edhe si “Fiskalizimi”, që synon që të gjitha transaksionet midis bizneseve dhe konsumatorit do të raportohen tek Administrata Tatimore në kohë reale. /ABC News Albania 24/7

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!