Blinken i bën thirrje Indisë të bashkëpunojë me Kanadanë për të hetuar vrasjen e liderit të Sikh

schedule22:50 - 22 Shtator, 2023

schedule 22:50 - 22 Shtator, 2023

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i bëri thirrje Indisë të premten që të bashkëpunojë me Kanadanë në hetimet për vrasjen e një separatisti sikh, ndërsa Otava akuzoi Nju Delhin për përfshirje më vrasjen.

Blinken tha se Shtetet e Bashkuara kanë qenë në kontakt si me Indinë, ashtu edhe me Kanadanë, e cila dëboi një diplomat indian në fillim të kësaj jave.

“Ne duam të shohim përgjegjësi. Dhe është e rëndësishme që hetimi të ecë në rrjedhën e tij dhe të çojë në atë rezultat,” u tha Blinken gazetarëve në Nju Jork, ku ai po merrte pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

“Ne do të shpresonim që miqtë tanë indianë do të bashkëpunonin gjithashtu me atë hetim,” tha Blinken.

Blinken, pa komentuar drejtpërdrejt mbi thelbin e akuzave, tha se Shtetet e Bashkuara i morën “shumë seriozisht” incidentet e “represionit transnacional”.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau tha të hënën se agjentët indianë luajtën një rol në vrasjen në qershor të Hardeep Singh Nijjar, një shtetas kanadez, pranë Vankuverit.

Trudeau të enjten i bëri thirrje Indisë që të bashkëpunojë në hetim.

Nijjar kërkohej nga India për terrorizëm dhe komplot për vrasje. Ai ishte pjesë e lëvizjes Khalistan, e cila mbron një atdhe të veçantë Sikh dhe ka kundërshtuar forcat indiane të sigurisë në vitet 1980.

India si përgjigje ndaj këtyre akuzave ka reduktuar stafin e saj diplomatik dhe ka ndaluar shërbimet e vizave.