United në krizë, “djajtë” kërkojnë të forcojnë ekipin me “yllin” e Bayern

schedule11:16 - 20 Shtator, 2023

schedule 11:16 - 20 Shtator, 2023

Prej disa vitesh tashmë “djajtë e kuq” të Manchester United nuk po arrijnë të gjejnë “shkëlqimin” e dikurshme, me investimet nga bordi i klubit që kanë kapur shifra marramendëse, por ende në “Old Trafford” nuk po vjen një trofe madhor, që prej atij të Europa League të fituar nga Jose Mourinho në finalen e vitit 2017 ndaj Ajax.

Ky sezon nuk duket të ketë dallim nga këta të fundit, teksa deri më tani “djajtë” e Ten Hag nuk kanë arritur të sigurojnë më shumë se 2 fitore në Premier League, duke humbur 3 të tjera, të 3-ja ndaj rivalëve direkt, ndërsa mbrëmjen e sotme do të bëjnë “debutimin” në Champions League ku do të përballen në orën 21:00, ndaj “bavarezëve” të Bayern Munich.

Pikërisht nga këta të fundit pritet të vijë dhe investimi i radhës në merkato, me bordin e “të kuqve” që pëlqen shumë stilin e lojës së “fantazistit” të sulmit, Serge Gnabry, me këtë të fundit që e njeh mirë Kampionatin anglez të futbollit, Premier League.

Sipas raportimeve më të fundit të tabloideve britanike, “djajtë” e United janë të gatshëm të ofrojnë plot 50 milionë euro në verën e vitit 2024 për kartonin e 28-vjeçarit, i cili deri më tani njihet si një ndër më të mirët e skuadrës së Bayern, por edhe Kombëtares gjermane. /i.m /abcnews.al