Në vitin e nëntë në krye të Bashkisë së Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj tregon projektet për mandatin e ri dhe ambicien e tij për të çuar përpara punët e mira në qytet. I ftuar në emisionin “Real Story” me gazetarin Sokol Balla në ABC News, Veliaj tha se ka optimizëm dhe energji për të vijuar me punët në Tiranë, për ta bërë këtë qytet sic tha ai edhe më të mirë.
“Asnjë nuk stresohet pa i dhënë leje dhe unë s’i jap leje kujt të më stresojë. Ndaj këto njerëzit që më thonë ‘shiko se të filloi kronometri’, këto s’më stresojnë fare.
Kam një adrenalinë dhe një optimizëm për ditët e Tiranës që më të mira do të vijnë pas çdo momenti që kalon dhe pas çdo projekti. Këtë s’ma heq kush. E kam një zjarr që nuk ma shuan askush. Kur vjen puna që ne duhet të mbarojmë fundin e Bulevardit dhe sapo kemi siguruar një grant masiv nga qeveria e Katarit, për ta mbyllur të gjithë këtë aks. Jo vetëm po mbarojmë tani liqenin e Farkës, kemi vajtur tek liqeni i Çekrezës në Zall Herr, sepse unë besoj që zona tjetër rezidenciale e Tiranës nuk do jetë tek zengjinët e Lundrës, por do jetë në veri, sepse aty, pak a shumë është konturuar zona”, tha ai.
Një vëmendje në investimet e Bashkisë së Tiranës zënë edhe institucionet e reja arsimore. “Sot filluam lotin tjetër të shkollave të reja. Pra, mbaruam 9 shkolla. Po hapet “Partizani”, “Besnik Sykja”, “Asim Vokshi”, shkolla simbol e Gjuhëve të Huaja. Kemi edhe 5 kopshte të tjera dhe ndërkohë loti tjetër që janë shkollat e Saukut dhe shkollat e Liqenit të Thatë, filloi procedura sot. Kemi edhe shkollat e asaj që quhet lagjja “Rilindja” sot. Deri dje quhej Astiri, një emër bojërash dhe ai është loti tjetër. Këto gjëra të frymëzojnë. Kur ti shikon se si stadiumi Arena Kombëtare përveç se na ekzaltoi 2-0 me Poloninë, na ka dhënë një shembull fantastik, se përtej histerisë është historia. Përtej zhurmës është ajo që mbetet, ky është një inkurajim fantastik që të vijojmë me Pallatin e Sportit dhe stadiumin “Selman Stërmasi”, shtoi kreu i Bashkisë, ndërsa komentoi edhe zërat për një kullë në stadiumin “Selman Stërmasi”.
“Po ku ta gjejmë të kemi kullë. Pse kulla e ‘Mariotit’ i bëri keq apo i bëri mirë Arenës Kombëtare. I bëri mirë, i ka sjellë biznes, i ka sjellë, një koncept të ri Tiranës. Psh, stadiumet në SHBA që janë një gafë urbanistike, krijohen në vende të izoluara, që janë të braktisura për 6 ditë të javës. Pra, kanë jetë vetëm një herë në javë. Ne do hapim një thirrje, do bëjmë të gjithë procedurën sepse unë besoj fort që ajo që i ndodhi njësisë 2 me Arenën Kombëtare, fare mirë mund të ketë të njëjtin funksion për njësinë 5 dhe 7” – vijoi më tej Veliaj, ndërsa shtoi se entuziazmi i tanishëm është i bazuar në informacion dhe projekte konkrete, jo vetëm në idealizëm.
Dy projekte madhore do të jenë dhe projekti i Kopshtit të ri Botanik si dhe Teatri i Ri Kombëtar. Për të dyja këto projekte, Veliaj siguron se do të sjellin transformim në të gjithë këto zona.
“Ne duam të fillojmë menjëherë kopshtin Botanik. Po presim datën e gjyqit. Ajo është një pronë e Bashkisë së Tiranës. Politizimi i Fakultetit të Shkencave prodhoi një konflikt gjyqësor por ne duhet ta mbyllim atë pjesë. Ne duhet ta çojmë deri në fund të gjithë atë transformim që ka ndodhur tek liqeni Artificial dhe tek Kopshti Botanik. Unë besoj fort që Teatri Kombëtar do jetë ndoshta fituesi më i madh i çmimeve në këtë nahijen tonë, në këtë pjesë të Evropës. Bjarke Ingels ka bërë një design unik dhe kur të mbarojë Teatri Kombëtar do ketë një përpjekje shumë të madhe për të fshirë gjithë postimet e atyre që kundërshtuan teatrin, sepse vërtet do jetë nder të shkojmë dhe të shijojmë atë. Në këtë mandat të tretë po fokusohem tek ajo që quhet legacy, ajo që është le të themi gjurma që do ketë Tirana nga kjo administratë, që unë pata fatin, nderin dhe privilegjin e jashtëzakonshëm të shërbej”, theksoi Veliaj, teksa shtoi se Tirana është kthyer në një qendër graviteti për rajonin.
“Nëse ka një gjë të madhe, siç është mbledhja e qeverive të vendeve anëtare të BE me Ballkanin Perëndimor ndodh në Tiranë, procesi i Berlinit ndodh në Tiranë. Unë besoj që pjesë e asaj që quhet legacy, pra shenja jonë në Tiranë do jenë jo vetëm këto projekte ikonike që përmenda”, deklaroi Veliaj.