Në Korçë fermerët që kultivojnë specin e gogozhares së famshme po falimentojnë. E para se ka superprodhim dhe e dyta janë ndërprerë eksportet.
Gogozharja e Korçës shkonte edhe në tryezat e europianëve, por sot çdo gjë ka ndryshuar. Fermerët ndryshe nga vitet e tjera e kanë të pamundur të gjejnë treg, për këtë lloj të veçantë speci që kultivohet vetëm në juglindje.
Superprodhimi i kësaj kulture tejkalon kërkesat e tregut rajonal, kurse ndërprerja e eksporteve ka gjetur të papërgatitur fermerët. Edhe pse sezonit të gogozhares po i vjen fundi, në Porodinë prodhimi ka mbetur ende në fusha.
Interesi i pakët nga tregtarët e shumicës rezervon fermerët ta vjelin duke e lënë të kalbet. Të tjerët e kanë ambalazhuar prodhimin stok dhe janë në pritje të blerësve nga zonat e tjera.
Duke parë mungesën e tregut, shumica e fermerëve kanë reduktuar sipërfaqet e mbjella me këtë kulturë, e cila ka qenë mjaft e preferuar në tregjet e huaja. Çmimi i ulët i grumbulllimit po i mban larg fermerët edhe nga industria përpunuese.
Fermerët që kanë dështuar me shitjet, e kanë hedhur prodhimin nëpër kanale. Të tjerët ankohen se ndryshimi i orarit të tregut të shumicës,i cili funksionon vetëm gjatë natës,ka ndikuar në uljen e sasisë së prodhimeve të shitura.
Zona e Korçës dhe Devollit kanë sipërfaqet më të mëdha të mbjella me këtë kulturë, e cila është ndër produktet kryesore të zahireve të dimrit. /ABC News Albania 24/7