LEZHË- Muaji shtator ndonëse me temperatura më të ulëta nuk i ka penguar turistët dhe vizitorët të pushojnë në plazhet e vendit.
Shëngjini mbetet një nga destinacionet e turizmit në Lezhë, ku krahas shqiptarëve të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut, mes turistëve ka edhe shtetas të huaj, mes tyre polakë dhe turq.
Nga të dhënat që vijnë nga agjencitë në Lezhë dhe nga operatorët turistikë, edhe për muajin shtator flitet për një fluks të pushuesve.
Deri në gjysmën e parë të shtatorit deri në 80% të kapaciteteve hoteliere janë të rezervuara, ndërsa në pjesën e dytë të muajit, pritet të ulen deri në 50 %.
Pronarët e hoteleve sezonin veror e konsiderojnë si vit të artë. Ata thonë se janë të kënaqur me fluksin e turizmit, ndërsa falënderimin kryesor e kanë për shqiptarët e Kosovës, të cilët sipas tyre janë “kampionë” në plazhin e Shëngjinit.
“Ky vit ka qenë një vit i artë për truizmin në Shëngjin, ka qenë shumë më kirë se vitin e kaluar. Jemi shumë të kënaqur nga vëllezërit tanë të Kosovë, të cilët kanë zgjedh Shëngjinin. Edhe shtatori është shumë më mirë se citin e kaluar. Janë shqiptarët e Kosovës, por edhe të huajt, 95% janë shqiptarë të Kosovës”, tha një pronar hoteli.
Një tjetër pronar hoteli tha për Abc News, se shtatorin e ka të prenotuar me pushues nga Bullgaria. Sipas tij, në këtë periudhë plazhin e zgjedhin të moshuarit pasi ulja e temperaturave ua lehtëson pushimet.
“Pushuesit janë rajonalë, maqedonas dhe shqiptarë të Kosovës. Momentalisht kam pushues bullgarë dhe gjithë shtatorin e kam të rezervuar nga këto agjencitë bullgare. Këto prenotimet e shtatorit i kemi që vitin e kaluar. Janë disa faktorë që e nxisin si çmimi më i ulët dhe koha, vijnë persona të moshës së tretë, që nuk e duan të nxehtin, por freskinë”, tha një tjetër./ n.m.abcnews.al