Shqipëria renditet ndër 10 destinacionet evropiane të sugjeruara për pushimet e vjeshtës, në një përzgjedhje të publikuar nga media franceze “Ulysse”, ku përfshihen vende që ofrojnë mundësi për të shijuar natyrën, bregdetin dhe vizitat kulturore edhe gjatë muajit tetor.
Në artikullin e autorit Luc Rongier, Shqipëria përmendet krahas Greqisë, Italisë, Portugalisë, Spanjës, jugut të Francës, Kroacisë, Maltës, Hungarisë dhe Holandës, si një prej alternativave ideale për turistët që dëshirojnë të shijojnë pushimet e tetorit pa u larguar nga Evropa.
Shqipëria ofron mundësi të ndryshme për turizëm edhe jashtë sezonit veror, nga vizitat në qytetet historike dhe sitet arkeologjike deri te eksplorimi i peizazheve natyrore.
Berati dhe Gjirokastra, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, tërheqin vizitorë me arkitekturën historike, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit ndërthur trashëgiminë e qytetërimeve të lashta me një mjedis të pasur natyror.
Në jug, Riviera Shqiptare ofron gjire dhe plazhe mesdhetare, ndërsa në veri, Thethi dhe Valbona janë alternativa për të eksploruar natyrën dhe peizazhet malore.
Sipas artikullit, disa destinacione evropiane mundësojnë ndërthurjen e diellit, plazheve, vizitave kulturore dhe peizazheve të vjeshtës, duke ofruar përvoja të ndryshme në varësi të vendit të zgjedhur.
Në Maltë, temperaturat mund të arrijnë 26°C, në Greqi rreth 23°C, në Portugali deri në 24°C, ndërsa në disa rajone të Spanjës mund të kalojnë 30°C.
Italia ofron mundësi për vizita kulturore, ndërsa Hungaria për udhëtime të shkurtra në qytete. Në listën e 10 destinacioneve të sugjeruara për pushimet e vjeshtës përfshihen gjithashtu Kroacia, Holanda dhe jugu i Francës.
Artikulli thekson se muaji tetor përkon me një periudhë kalimtare midis pikut të sezonit turistik veror dhe dimrit, kur në disa vende mesdhetare temperaturat mbeten të përshtatshme për aktivitete në natyrë, ndërsa qytetet dhe atraksionet kryesore turistike përjetojnë një ritëm më të qetë se në korrik dhe gusht.
Për turistët francezë, këto destinacione ofrojnë mundësi për të zgjedhur midis pushimeve në plazh, vizitave në qytete dhe monumente kulturore apo eksplorimit të peizazheve natyrore, në varësi të kushteve atmosferike dhe aktiviteteve të dëshiruara gjatë pushimeve të tetorit.


