Si sot 7 vite më parë, më 5 shtator 2016, Nënë Tereza u shpall shenjtore. 5 Shtatori, data kur Papa Françesku vendosi të shenjtërojë murgeshën katolike me origjinë shqiptare, përkon me ditën kur ajo u nda nga jeta në vitin 1997. Kjo datë është shpallur edhe festë zyrtare në vendin tonë.
Skënder Asani, drejtori i Këshillit të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup (ITSHKSH), në një intervistë për emisionin“Ballkan Update”, tha se kanë themeluar një departament që do t’i kushtohet trashëgimisë së Nënë Terezës, që sipas të cilit, është i pari në botë.
“Duke u thelluar më shumë në figurën e Nënë Terezës vijmë në përfundimin se shumë pak e njohim atë. Dhe jo rastësisht si institucion shkencor, kemi themeluar departamentin për trashëgiminë e Gonxhe Bojaxhiut dhe është i pari në botë që studion figurën e saj. Kemi edhe manifestimin e vetëm që fillon me 26 Gusht dhe përfundon me 18 Tetor kur është lumturimi i saj. Por 5 shtatori është një ditë e jashtëzakonshme kur edhe ka dhënë shpirt.
Rrugëtimi i saj, sepse në një figurë janë mbledhur një rrugëtim i jashtëzakonshëm në tre etapa të saj, lindi në Shkup, shkoi në Letnicë dhe mori urdhrin që të niset në mision. Ajo u nis që të bëhet Nënë Tereza ndërsa me vdekjen e saj u shndërruar në Shën Nënë Terezën. Me themelimin e këtij departamenti, ne po mundohemi që të dimë se si ta trajtojmë figurën e madhe të saj. Po ia plasojmë botës së mbarë një figurë që duhet të trajtohet në mënyrë profesionale.”, u shpreh ai.
Më tej, ai foli edhe për historinë e shtëpisë së Nënë Terezës në Shkup.
“Në sheshin e Shkupit kishte një xhami, një teqe bektashiane, kisha dhe lagjja e katolikëve shqiptarë. Që nga viti 1918, ku vendoset pushteti serb në Shkup ishte për të eliminuar këto tre objekte të shqiptarëve dhe të asgjësonte popullin shqiptar nga kryeqendra e Dardanisë dhe e Vilajetit të Kosovës. Në 1925, rrëzoi xhaminë që ishte lidhur me besimtarët myslimanë të Shkupit, pastaj rrëzoi teqen bektashiane ndërsa në 1963 u rrënua nga tërmeti kisha dhe shtëpia e Bojaxhinjve. Aty kishte humbur historia dhe gjithçka ndërsa në 1980, pasi kishte marrë çmimin Nobel për paqe, vjen në Shkup dhe shpallet qytetare nderi. Dhe në këtë kujtim, ajo dëshiron të lërë diçka nga shtëpia e saj. Mbjell bredhin për të shënuar në shesh ka pasur shtëpinë e saj. Jo rastësisht, ka pasur tendenca që mbi shtëpinë e Nënë Terezës ka pasur projekte për të humbur gjurmët.”, theksoi ai. /abcnews.al